Showbiz

“Të gjithë për një” starton sonte në Top Channel

“Të gjithë për një” është emisioni më i ri që i është shtuar programacionit të Top Channel, i cili do të drejtohet nga moderatori Eno Popi. Autori i këtij programi, Denard Xhillari, ka shpjeguar për Top Albania Radio-n, formulën e këtij programi, i cili pritet të “gozhdojë” teleshikuesit të martave në mbrëmje.

“Të gjithë për një” është një quiz që ka në thelb pyetjet e bazuara nga sistemi shkollor 9-vjeçar, i cili do të përballë konkurrentë të rritur.

Denardi shpjegon se konkurrenti ka të drejtën e tërheqjes në 4 pyetjet e para, duke marrë shumën e parave të fituara deri në ato momente. Por nëse konkurrenti vendosë që të vazhdojë më tej, ai nuk ka të drejtë të tërhiqet më deri në pyetjen e 10-të.

Autori shton më tej se nëse konkurrenti kalon edhe pyetjen e 5-të, paratë e fituara mbeten të tijat deri në momentin që digjet. Nëse kalon me sukses 10 pyetjet, ai fiton 10 milionë lekë të vjetra por këtu ai ka mundësinë e një pyetje bonus, e cila dyfishon shumë e fituar, duke e çuar atë në 20 milionë lekë të vjetra.

Show, i cili do të moderohet nga Eno Popi, ka pjesëmarrës edhe fëmijë të cilët janë të ulur në bankat e një shkolle. Sa i përket skenografisë, studio është shndërruar në trajtën e një klase shkolle ku konkurrenti zgjedh çdo dy pyetje një fëmijë për ta ndihmuar.

Duke qënë se Denardi mban vulën e programit të suksesshëm “Pa limit” dhe Eno Popi është moderatori i disa prej programeve më të suksesshme të Top Channel, kjo lë të nënkuptohet se “Të gjithë për një”, i cili do të shfaqet çdo të martë ora 20:50 , do të jetë një sukses i garantuar.