Aktorja amerikane Hayden Panettiere ka bërë një rrëfim të sinqertë dhe të guximshëm, duke zbuluar publikisht për herë të parë se është biseksuale.
Në një intervistë të fundit, në prag të publikimit të librit të saj “This Is Me: A Reckoning”, ajo u shpreh:
Po, unë jam biseksuale. Ja, e thashë!
– duke e përshkruar këtë moment si një çlirim personal pas shumë vitesh heshtjeje.
Hayden Panettiere tregoi se për një kohë të gjatë kishte hezituar ta ndante këtë pjesë të identitetit të saj, nga frika se mund të keqkuptohej si një “trend”.
Ajo theksoi se e kishte eksploruar këtë anë të vetes në privatësi, por tani ndihet gati ta ndajë hapur me botën.
Aktorja pranoi gjithashtu se, nëse bie në dashuri, nuk do të donte kurrë ta fshihte atë ndjenjë, duke shtuar se që në fëmijëri ka ndier një tërheqje më të madhe ndaj grave.
Në intervistë, ajo preku edhe kapituj më të vështirë të jetës së saj, përfshirë betejat me varësinë, humbjen e vëllait të saj dhe përvojat me marrëdhënie të dhunshme, të cilat i përshkroi si procese të dhimbshme dhe të vështira për t’u lënë pas.
E njohur për rolet në “Heroes” dhe “Nashville”, Hayden Panettiere duket se po hap një kapitull të ri në jetën e saj, këtë herë me më shumë sinqeritet, pranimin e vetes dhe liri personale.