Një nga momentet më të rëndësishme për çdo Zonjë të Parë të Shteteve të Bashkuara është publikimi i portretit zyrtar, fotografia që shpërndahet nga Shtëpia e Bardhë, arkivohet në Regjistrat Kombëtarë dhe simbolizon fillimin e një epoke të re.
Për Michelle Obamën, ky moment erdhi 16 vite më parë, por imazhi i saj vazhdon të kujtohet ende sot, për një arsye të pazakontë: krahët e saj.
Në fotografinë zyrtare, Michelle pozonte me një fustan të zi pa mëngë, të stilistit amerikan Michael Kors. Edhe pse sot konsiderohet një ikonë e elegancës, në atë kohë imazhi shkaktoi një debat publik të papritur.
Mediat dhe komentuesit e quajtën “shumë informal”, ndërsa disa e kritikuan se “nuk ishte e përshtatshme për Zonjën e Parë të Amerikës” vetëm sepse i kishte krahët zbuluar.
Në librin e ri fotografik “The Look”, botuar së fundmi, ish-Zonja e Parë tregon se si ky “fiksim” i mediave u përdor për ta paraqitur si ndryshe dhe për ta vënë në qendër të vëmendjes për arsye që nuk kishin lidhje me punën e saj.
Libri përfshin dëshmi nga stilistja e saj Meredith Koop dhe nga disa prej dizajnerëve që e kanë veshur gjatë viteve në Shtëpinë e Bardhë, të cilët tregojnë se si Michelle e përdori modën si një mjet përfaqësimi, diversiteti dhe fuqizimi.
Debati arriti kulmin kur ajo shoqëroi Barack Obamën në fjalimin e tij të parë në Kongres, sërish me krahët zbuluar. Mediat e etiketuan pamjen e saj si “tepër të guximshme”, duke shpikur edhe termin “Sleevegate” për të përshkruar atë që në fakt ishte thjesht një zgjedhje stili, që sot konsiderohet simbol i vetëbesimit dhe emancipimit.