Rebecca Loos, ish-asistentja e David Beckham dhe gruaja për të cilën prej vitesh është përfolur se ka pasur një lidhje me të, ka reaguar publikisht pas deklaratave të forta të Brooklyn Beckham në rrjetet sociale, duke ndezur edhe më shumë debatin rreth përçarjes në familjen e famshme.
Përmes një serie postimesh në Instagram, Brooklyn Beckham bëri të qartë se nuk dëshiron të pajtohet me prindërit e tij, duke i akuzuar ata si burimin kryesor të stresit në jetën e tij dhe jo bashkëshorten Nicola Peltz.
Ai deklaroi se është ndjerë i kontrolluar dhe i sulmuar, ndërsa shtoi se për muaj me radhë kishte zgjedhur heshtjen për të mbrojtur jetën private.
48-vjeçarja Rebecca Loos, ish-modele nga Holanda, reagoi pasi një ndjekës i shkroi në Instagram për “zbulimet tronditëse” të Brooklyn-it ndaj David dhe Victoria Beckham.
Në përgjigjen e saj, Loos shprehu hapur mbështetjen për djalin e çiftit Beckham:
Jam shumë e lumtur që ai po mbron veten dhe më në fund po flet hapur. Më vjen shumë keq për gruan e tij, e di si janë!
Në një tjetër koment, ku ndërhyrja e Brooklyn u cilësua si “e mrekullueshme”, Loos shtoi:
E vërteta del gjithmonë në shesh
-shoqëruar me një emoji zemre.
Deklaratat e Loos rikthejnë në vëmendje akuzat e saj të vjetra, sipas të cilave ajo kishte një aferë katërmujore me David Beckham më shumë se 20 vite më parë, në një kohë kur ai ishte i martuar me Victoria Beckham.
Futbollisti i famshëm i ka mohuar vazhdimisht këto pretendime, duke i quajtur “qesharake” në një deklaratë për The Guardian në prill 2024, ndërsa Loos i rikonfirmoi akuzat në një intervistë për 60 Minutes Australia në mars 2025.
Ndërkohë, Brooklyn Beckham vazhdon të shprehë publikisht pakënaqësitë e tij, duke akuzuar prindërit se e kanë sulmuar atë dhe bashkëshorten e tij në media dhe se kanë tentuar të dëmtojnë martesën e tij me Nicola Peltz.
Saga familjare Beckham duket se është larg përfundimit, ndërsa reagimi i Rebecca Loos i ka hedhur edhe më shumë benzinë zjarrit të një prej përçarjeve më të komentuara të showbiz-it.