“Ndërsa fundviti po afron, ne fillojmë të mendojmë për udhëtimet e radhës duke kërkuar destinacionet më të mira për të eksploruar në vitin e ardhshëm”, sipas një artikulli të botuar në revistën indiane “The Economic Times”.
Ekspertët ju rekomandojnë vendet e spikatura në Europë e që premtojnë përvoja të paharrueshme në vitin 2025 dhe që po ashtu janë ideale për planet dhe buxhetin tuaj të pushimeve.
Mes sugjerimeve spikat vendi ynë.
Shqipëria
Shqipëria, e vendosur në Gadishullin Ballkanik, është një perlë në zhvillim në Europë. E njohur për bregdetin e saj mahnitës, historinë e pasur e peizazhet e pacënuara ofron një ndërthurje të aventurës, relaksit, si dhe eksplorimit kulturor.
Por cilat vende duhet të vizitoni?
1. Tirana
Kryeqyteti shqiptar njihet për arkitekturën e tij plot me ngjyra, kafenetë e gjalla, si dhe atraksionet si Sheshi Skënderbej, Xhamia e Et’hem Beut e muzetë Bunk’Art që shfaqin të kaluarën komuniste të vendit.
2. Berati
Qyteti i “Një mbi një dritareve”, një vend i trashëgimisë botërore të UNESCO-s. Berati është i famshëm për arkitekturën e epokës osmane, kalanë e tij në majë të kodrës e pamjet mahnitëse.
3. Gjirokastra
Një tjetër vend i UNESCO-s, ky “Qytet i Gurtë” njihet për rrugët e tij me kalldrëm, për kalanë historike e gjithashtu shtëpitë tradicionale.
4. Riviera Shqiptare
Një shtrirje plazhesh të pacënuara si Ksamili, Himara e Dhërmiu përgjatë detit Jon, që janë idealë për banjo dielli, për të notuar e për të eksploruar.
5. Syri i Kaltër
Një burim natyror mahnitës me ujëra të pastra bruz, i rrethuar me gjelbërim të harlisur.
Koha më e mirë për të vizituar Shqipërinë
Pranvera (prill-qershor) ofron një mot të butë, peizazhe të lulëzuara e më pak turistë. Kjo është periudha perfekte për ecje dhe shëtitje.
Vera (korrik-shtator) është stina më e mirë për të shijuar plazhet përgjatë Rivierës Shqiptare, megjithëse vendi mund të jetë i mbushur me vizitorë.
Vjeshta (tetor-nëntor) ofron temperatura më të ulëta e në Shqipëri ka më pak vizitorë. Ideale për eksplorim kulturor.
Dimri (dhjetor-mars), mbetet sezoni i shkëlqyer për të eksploruar qytete si Tirana de për të përjetuar malet e mbuluara me borë, megjithëse disa zona bregdetare mund të jenë të qeta.