Për derbin me Partizanin, Dinamo nuk ka asnjë lojtarë të skualifikuar apo të dëmtuar. Një plus ky për trajnerin Mehmeti që ta përgatisë sa më mirë këtë sfidë dhe të përzgjedhë më të mirët për të synuar fitoren e tretë radhazi, që do të ishte një “rekord” për këtë sezon. Stafi teknik i Dinamos do të japë sot udhëzimet e fundit para derbit me Partizanin, që luhet në stadiumin ‘Niko Dovana’, në orën 17:00. Trajneri Mehmeti do të kryejë një seancë në mesditë, ku do të bëhet edhe prova gjenerale për formacionin anti-Partizan. Ka pak dilema në fakt për trajnerin e bluve, madje nuk përjashtohet mundësi që në fushë të zbresë 11-shja që mundi Erzenin 0-4. Nëse do të ketë ndonjë ndryshim, ai mund të bëhet në pjesën përpara të skuadrës.
Në prapavijë gjërat janë të stabilizuara, me Salin në portë dhe Markun, Lorran, Hoxhën dhe Behiratçen në mbrojtje. Në mesfushë i sigurt është Andoni, njëri mes Gudiabit dhe Smaçit mund ta shoqërojë, por mund të ketë edhe një rreshtim me 3 lojtarë në këtë sektor, nëse vendoset që një nga 4 sulmuesit ta nisë nga stoli. Zabërgja dhe Vila mbeten dy titullarët e krahëve, pastaj nëse edhe Kaçorri luan nga minuta e parë, do të jetë Denison ai që do të ndihmojë pak më shumë mesfushën, si numër 10. Nëse Kaçorri e nis nga stoli, braziliani mund të aktivizohet si sulmues qendre. Pas seancës së sotme, skuadra do të grumbullohet në Durrës dhe do të jetë gati për ndeshjen e nesërme.