Të kuqtë janë nën presionin e rezultateve të javëve të fundit, ku pavarësisht lojës, nuk ka arritur të fitojë ndaj dy kundërshtarëve si Vllaznia dhe Egnatia. Ndaj Dinamos do të kërkohet me ngulm fitorja, pasi kampionët në fuqi minimalisht nuk duan të lejojnë afrimin e Tiranës apo Vllaznisë, që për momentin kërcënojnë nga larg. Trajneri Shehi edhe këtë herë do të ketë mungesa.Partizani zhvilloi dje në mesditë stërvitjen e radhës në funksion të derbit ndaj Dinamos të shtunën në orën 17:00 në “Niko Dovana”.
Trajneri Shehi vijon të mos i ketë në dispozicion disa nga lojtarët. Maget do të marrë edhe pak ditë kohë që t’i qetësohen dhimbjet në dorë dhe më pas do të shihet sërish gjendja e tij. Keko vijon të mos stërvitet me skuadrën për shkak të plagës, që i është hapur në këmbë. Sakaq, Binstuka po integrohet gradualisht, por pritet që të mos jetë i gatshëm për Dinamon. E njëjta gjë vlen edhe për afrimin e ditëve të fundit, Bozho Mikuliç. Pjesa tjetër e skuadrës janë tërësisht të gatshëm, me stafin teknik, që shijon rikthimin e Muratajt dhe Adnard në mesfushë. Mugesa e Maget dhe rikthimi i kësaj dysheje bën që të priten ndryshime në mesfushë. Mbrojtja nuk pritet të ndryshojë, me Qirkon në portë dhe Hadroj, Sota, Sembene dhe Atanaskoski para tij. Në mesfushë priten dy ndryshime, më Muratajn, që ul në stol Ismailin, ndërsa Mehmeti zëvendëson Magetin.