Udhëtim me votën e shqiptarëve në zgjedhje. Top Albania Radio vjen me një maratonë informative dhe analitike me raportime nga terreni dhe opinionistë për të sjellë në kohë reale gjithçka do ndodhë ditën e zgjedhjeve më 11 Maj dhe ditët në vijim deri në daljen e rezultatit të plotë me “Shqipëria Vendos – Zgjedhjet 2025”.
Nën drejtimin e gazetarit Blendi Salaj, Top Albania Radio ju sjell një maratonë zgjedhore me raportime të gazetarëve të Top Media nga çdo cep i Shqipërisë – shoqëruar me analiza në studio, intervista me protagonistët dhe rezultatet e çdo qyteti.
Eksperti i zgjedhjeve dhe krimeve zgjedhore, Gerti Shella:
Lajmi jo i mirë është pjesëmarrja e ulët në votime, regjistruar në rreth 41% të totalit të votuesve. Nëse e krahasojmë me zgjedhjet e 25 Prillit 2021, ku fillimisht u fokusuan tek 49%, këtu kemi një rënie të përqindjes. Dikush mund të thotë që rënia e pjesëmarrjes në zgjedhje është një problem sistemik i demokracive, jo vetëm në Shqipëri, por gjithandej ku ato normojnë jetën publike, jetën politike. Por në rastin e Shqipërisë, një vend i cili ka dinamika të forta dhe pakënaqësi të mëdha, nuk jemi ne ndër ato vendet e mirëqënies së madhe sociale dhe velitja të ketë arritur në pikë të atillë sa kalon në çinteresim karshi demokracisë dhe aktivizmit që ajo nënkupton. Unë mendoj që kemi një lajm të keq në rastin konkret, që demokracia nuk po arrin dot të krijojë masën kritike të votuesve. Mendoj që është kundërintuitive që ne do të na prodhohen dy degë të pushteteve, pra dega e legjislativit dhe dega e ekzekutivit, nga një pakicë e shqiptarëve që iu drejtuan kutive të votimit.