Elon Musk deklaron se robotët e drejtuar nga inteligjenca artificiale do të tejkalojnë kirurgët njerëzorë deri në vitin 2028, duke shtuar se kjo mund t’i bëjë të panevojshme diplomat tradicionale të mjekësisë. Musk parashikon se robotët me inteligjencë artificiale, si Optimus i Teslës, brenda pak vitesh do të performojnë më mirë se mjekët dhe kirurgët njerëzorë. Sipas tij, deri në fund të dekadës, kujdesi shëndetësor mund të dominohet nga sisteme të avancuara AI, që do të analizojnë skanerët mjekësorë dhe do të kryejnë operacione të ndërlikuara me saktësi më të lartë dhe më pak gabime sesa njerëzit.
Ai argumenton se kjo teknologji do të ulë ndjeshëm kostot e shërbimeve mjekësore, duke e bërë kujdesin cilësor pothuajse pa kosto, ndërsa roli i mjekëve njerëzorë do të kufizohet kryesisht në mbikëqyrjen e sistemeve autonome. Megjithatë, ekspertët e mjekësisë dhe kritikët e teknologjisë janë skeptikë ndaj këtij parashikimi, duke theksuar se mjekësia nuk lidhet vetëm me saktësinë teknike. Sipas tyre, empatia, gjykimi etik dhe aftësia për të përballuar situata të paparashikueshme janë cilësi që makineritë nuk mund t’i zëvendësojnë plotësisht. Për më tepër, sfidat ligjore, rregullatore dhe të sigurisë mbeten pengesa të mëdha për automatizimin e plotë të mjekësisë, duke bërë që mjekët të vazhdojnë të kenë rol qendror në sallat e operacionit edhe për shumë vite.
Elon Musk beson se mënyra më e mirë për të zgjidhur vështirësitë e ndërtimit të qendrave të të dhënave të Inteligjencës Artificiale në Tokë është zhvendosja e tyre në hapësirë. Dhe ai nuk është i vetmi që mendon kështu. Ai ditëve të fundit njoftoi bashkimin e kompanisë së tij të raketave SpaceX dhe xAl, duke deklaruar se dëshiron të lëshojë 1 milion satelitë në hapësirë. “E vetmja zgjidhje logjike… është transportimi i këtyre përpjekjeve që kërkojnë shumë burime në një vendndodhje me fuqi dhe hapësirë të madhe. Dua të them se hapësira quhet ‘hapësirë’ për një arsye”, tha Musk kur njoftoi bashkimin.