Mbreti Charles III dhe Pallati Buckingham njoftuan gatishmërinë për të bashkëpunuar me policinë në rastin e ish-financierit Jeffrey Epstein. Konkretisht, po hetohen raportet se ish-Princi Andrew ka ndarë informacione konfidenciale me manjatin. Ndërkohë, rasti Epstein vazhdon të shkaktojë polemika në Britaninë e Madhe, ku thuhet se sekretari i kabinetit qeveritar është gati të njoftojë dorëheqjen.
Ndërsa i takon z.Mountbatten-Windsor të përgjigjet ndaj akuzave specifike në fjalë, nëse policia na kontakton, ne do të jemi të gatshëm t’i mbështesim, siç theksohet në deklaratën e pallatit mbretëror.
Ndërkaq, dyshohet se Departamenti amerikan i Drejtësisë shkeli ligjin duke fshirë emrat e të paktën 6 burrave që ka të ngjarë të jenë të përfshirë në skandalin Epstein. Kjo u zbulua kur ligjvënësit amerikanë Ro Khanna e Thomas Massie aksesuan dokumentet e paredaktuara lidhur me financierin pedofil e konstatuan mospërputhjet.
Ligjvënës demokratë e republikanë synojnë që departamentit të udhëhequr nga Pam Bondi, t’i japin kohën që i duhet për të hequr redaktimet nga dokumentet, por nuk e kanë përjashtuar mundësinë e bërjes publike të gjashtë emrave gjatë një seance të Dhomës së Përfaqësuesve, duke përfituar kështu nga imuniteti.
Njëri prej tyre mban një pozicion të lartë në një qeveri të huaj, ndërsa një tjetër është figurë e shquar.
Sekretari i kabinetit qeveritar britanik, njëherazi drejtues i Shërbimit Civil, Chris Wormald, mund të japë dorëheqjen në ditët në vijim për shkak të skandalit që rrethon ish-ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Shtetet e Bashkuara, Peter Mandelson dhe financierin.
Ka zëra se kur ish-ambasadori shërbeu si ministër i Biznesit në qeverinë e Gordon Brown-it në vitin 2009, i kaloi një dokument të brendshëm qeveritar Epstein-it. Lajmi u raportua nga Guardian. Sipas gazetës, Wormald po negocion kushtet e largimit të tij nga Downing Street dhe një njoftim mund të vijë së shpejti.
Nën dritën e polemikave, kryeministri Keir Starmer po përpiqet të forcojë kontrollin e tij mbi Partinë Laburiste dhe kabinetin qeveritar.
Rasti Epstein vazhdon “të hajë koka”
Pas Francës, ku ministri i Kulturës, Jack Lang dha dorëheqjen, stuhia po godet Britaninë e Madhe, e tronditur disa herë nga fotot skandaloze të Princit Andrew dhe thashethemet e fundit se i dërgoi financierit dokumente konfidenciale midis viteve 2010 e 2011. Në Downing Street, dy anëtarë të qeverisë Starmer dhanë dorëheqjen.