Gossip Showbiz

Thyhet heshtja mbretërore? William dhe Kate reagojnë për herë të parë ndaj skandalit Epstein?!

Familja mbretërore britanike ka ndërmarrë një hap të pazakontë, duke thyer traditën e heshtjes absolute për çështjet më të ndjeshme, në një moment kur presioni publik dhe ai mediatik po arrin kulmin lidhur me skandalin Jeffrey Epstein.

Zbulimet e fundit kanë rikthyer në qendër të debatit ndërkombëtar raportet e financierit të dënuar me figura të fuqishme, përfshirë edhe anëtarë të Shtëpisë Mbretërore.

Për herë të parë, Princi William, trashëgimtari i fronit dhe bashkëshortja e tij, Princesha Catherine, kanë reaguar publikisht.

Në një deklaratë të lëshuar nga Pallati Kensington, çifti shprehet se është “thellësisht i shqetësuar” nga informacionet e reja që kanë dalë në dritë, pas publikimit të dokumenteve në Shtetet e Bashkuara që përmendin lidhje të Epstein me personalitete të njohura.

Në reagimin e tyre të parë zyrtar për këtë temë, përfaqësuesi i Princit dhe Princeshës së Uellsit theksoi se fokusi i tyre mbetet te viktimat e abuzimit seksual, duke shmangur çdo koment të drejtpërdrejtë për individë apo rrethana konkrete.

Mund të konfirmoj se Princi dhe Princesha kanë qenë thellësisht të shqetësuar nga zbulimet e vazhdueshme. Mendimet dhe solidariteti i tyre janë me viktimat

-thuhet në deklaratën e Pallatit Kensington.

Ky reagim shënon një moment historik, pasi William dhe Catherine nuk kishin adresuar më parë publikisht këtë skandal, i cili prej vitesh ka nxitur kritika të ashpra ndaj monarkisë për mungesë transparence dhe distancimi të qartë.

Vëmendja publike vazhdon të përqendrohet te Princi Andrew, xhaxhai i Princit William, marrëdhënia e të cilit me Epstein ka shkaktuar një nga krizat më të rënda të imazhit për familjen mbretërore në dekadat e fundit.

Andrew u privua nga titujt dhe detyrat mbretërore me vendim të Mbretit dhe aktualisht jeton larg vëmendjes publike, në rezidencën e Sandringham.