Aktualitet

Erion Veliaj ankimoi në Kushtetuese shkarkimin, zgjidhet gjyqtarja që do shqyrtojë çështjen!

Gjykata Kushtetuese ka caktuar gjyqtaren Sonila Bejtja si relatore për shqyrtimin e ankesës së ish-kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, lidhur me shkarkimin e tij nga detyra.

Veliaj ka depozituar pranë Kushtetueses një kërkesë për shfuqizimin e vendimit që e largoi nga posti, duke e konsideruar atë të paligjshëm dhe në kundërshtim me Kushtetutën.

Kujtojmë se kërkesa e ankimimit nga Erion Veliaj ka theksuar se Neni 62 i ligjit për vetëqeverisjen vendore nuk mund të zëvendësojë Nenit 115 të Kushtetutës, por duhet të interpretohet në përputhje me të.

Sipas kërkesës së Veliajt, çdo shkarkim pa një shkelje të rëndë të provuar është i paligjshëm dhe bie ndesh me parimet kushtetuese.

1. Bazuar në nenin 115 të Kushtetutës, Kryetari i Bashkisë mund të shkarkohet për shkelje të rënda të Kushtetutës ose të ligjeve dhe mund të ankohet në Gjykatën Kushtetuese brenda 15 ditëve, ankim i cili pezullon efektet e vendimit të Këshillit të Ministrave. (shih vendimet nr. 15, datë 08.06.2009; nr.22, datë 07.10.2008; nr.39, datë 29.12.2005 të Gjykatës Kushtetuese) Në bazë të këtij parashikimi kushtetues, përmes parashikimeve të ligjit nr.139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore”, legjislatori ka vlerësuar të specifikojë dy raste të asaj që do të konsiderohet shkelje e rëndë e Kushtetutës dhe ligjeve, përmes parashikimeve të gërmës “b” dhe “c” të nenit 62 të këtij ligjit, nëse Kryetari i Bashkisë: dënohet për kryerjen e një vepre penale, me vendim të formës së prerë, nga gjykata; nuk paraqitet në detyrë për një periudhë 3-mujore të pandërprerë. Vetë legjislatori, ka përcaktuar se ky ligj, ka dalë edhe në bazë dhe për zbatim të nenit 115 të Kushtetutës. Për këtë arsye, shkarkimi i kryetarit të bashkisë është brenda juridiksionit kushtetues. Interpretimi pajtues është i mundur kur një ligj apo dispozitë ligjore mund të interpretohet në më shumë se një mënyrë, njëra nga të cilat është në pajtim me Kushtetutën. Kjo metodë kërkon efektet kushtetuese të rezultateve të ndryshme dhe përzgjedh rezultatin që është në pajtim me vlerat kushtetuese, duke marrë parasysh këtu të drejtat themelore të individëve. (Vendimi nr. 29, datë 31.05.2010 i Gjykatës Kushtetuese) Interpretimi pajtues është i mundur kur një ligj apo dispozitë ligjore mund të interpretohet në më shumë se një mënyrë, njëra nga të cilat është në pajtim me Kushtetutën. (Vendim nr. 5 datë 16.02.2012) Prandaj, asnjë interpretim tjetër i dispozitave nuk është i lejueshëm nga pikëpamja kushtetuese dhe se mbrojtja e të drejtave dhe parimeve kushtetuese të lartpërmendura nuk mund të arrihet në rast se këtyre dispozitave të kundërshtuara do t`u jepet një kuptim tjetër. (Vendimi nr. 54 datë 09.07.2024 i Gjykatës Kushtetuese)

2. Ligjbërësi, me nenin 62 të ligjit nr. 139/2015, nuk ka synuar të krijojë një kategori të re shkarkimi të pavarur nga Kushtetuta, por vetëm të specifikojë disa rastet konkrete që përbëjnë “shkelje të rënda të Kushtetutës ose të ligjeve”, sipas nenit 115 të Kushtetutës. Kjo kuptohet qartë nga mënyra si është ndërtuar dispozita: gërmat “b” dhe “c” nuk dalin jashtë logjikës kushtetuese, por shërbejnë për ta zbërthyer dhe konkretizuar nocionin e “shkeljes së rëndë”. Për shembull, dënimi penal me vendim të formës së prerë (gërma “b”) është një formë tipike e shkeljes së rëndë të ligjit/kushtetutës për një funksionar si Kryetari i Bashkisë; ndërsa mosparaqitja në detyrë për tre muaj (gërma “c”) përbën shkelje të rëndë nëse kryetari i bashkisë, pa pasur ndonjë shkak objektiv, ka zgjedhur me vullnet të lirë të mos ushtrojë funksionin e tij. Në të kundërt, kur mungesa është rezultat i një pamundësie objektive ose rrethana të jashtëzakonshme që e bëjnë të pamundur ushtrimin e funksionit, ajo nuk mund të konsiderohet “shkelje e rëndë”, sepse ligji do të zgjerohej përtej kuadrit kushtetues të nenit 115.

3. Nëse do të pranohej e kundërta, atëherë do të kishim të bënim me një normë ligjore antikushtetuese, pasi ligjvënësi do të kishte shtuar një shkak të ri për shkarkimin e Kryetarit të Bashkisë, ndonëse kushtetutëbërësi, me qëllim garantimin maksimal të autonomisë vendore, e ka përcaktuar shprehimisht dhe në mënyrë të kufizuar në Kushtetutë shkakun e shkarkimit të Kryetarit të Bashkisë dhe nuk ka dhënë autorizim për zgjerimin me ligj të shkaqeve të shkarkimit. Vetë jurisprudenca e kësaj Gjykate i ka konsideruar në kundërshtim me Kushtetutën, duke i shfuqizuar, parashikimet ligjore të dala në tejkalim e pa autorizim të parashikimeve kushtetuese.

4.  Shpesh, Kushtetuta qëllimisht lë hapësira rregullimi nga ligjvënësi i zakonshëm, në mënyrë që të mos pengojë marrjen e nismave politike, ekonomike, sociale e kulturore nga partitë politike ose qeveria. Por, Kushtetuta, përveç kësaj mund të parashikojë hollësisht dhe shprehimisht rastet për të cilat nuk mund t’i lërë hapësira rregullimi ligjvënësit të zakonshëm. Gjykata Kushtetuese ka theksuar se “për çdo rast, kur rregullimi kushtetues parashikohet shprehimisht prej saj, ai detyrimisht do të zbatohet drejtpërdrejtë. Përmbajtja e dispozitës kushtetuese nuk mund të mënjanohet ose të tejkalohet duke u dhënë përparësi akteve juridike që dalin në bazë dhe për zbatim të Kushtetutës”. Ky detyrim rrjedh nga përmbajtja e nenit 4/3 të Kushtetutës dhe është një qëndrim i konsoliduar i Gjykatës Kushtetuese në çështje të tjera analoge, në të cilat ka theksuar se “atë që nuk ka dashur ta bëjë Kushtetuta nuk mund ta bëjë ligji. Prandaj nuk mund të pranohet se ajo ka ometuar pa përmendur raste të tilla”. Për këtë shkak, nëse do të pretendohej se ligji ka parashikuar një shkak të ri shkarkimi, atëherë do të prekej, parimi i shtetit të së drejtës, i shprehur me përparësinë e normave të Kushtetutës në raport me normat e tjera ligjore.

5.  Neni 115 i Kushtetutës është një normë me karakter kufizues për kompetencën e Këshillit të Ministrave: ky i fundit mund të shkarkojë kryetarin e bashkisë vetëm kur ekziston një “shkelje e rëndë e Kushtetutës ose e ligjeve”. Kjo është një garanci që Kushtetuta i jep mandatit të zgjedhur vendor, për ta mbrojtur nga ndërhyrjet arbitrare të pushtetit qendror. Nëse do të lejohej që ligjvënësi të shtonte shkaqe të tjera shkarkimi, përtej atyre që rrjedhin nga ky nen, funksioni mbrojtës i nenit 115 do të shkatërrohej, duke e reduktuar në një dispozitë të zbrazët. Nëse do të pranohej e kundërta, atëherë kryetarët e bashkive do të ishin të pambrojtur ndaj ndërhyrjeve të njëanshme të pushtetit qendror, ndërkohë që Kushtetuta ka synuar të garantojë pikërisht të kundërtën: që mandati i tyre të cenohet vetëm në raste të jashtëzakonshme, kur provohet se ka pasur një shkelje të rëndë të rendit kushtetues ose ligjor. Ky është i vetmi interpretim që ruan koherencën e hierarkisë së normave, sigurinë juridike dhe të drejtën e qytetarëve për t’u qeverisur nga përfaqësuesi që kanë zgjedhur. Nëse neni 62, gërma “c” e ligjit nr. 139/2015 do të kuptohej si një shkak i ri shkarkimi, i pavarur nga Kushtetuta, atëherë në kundërshtim me jurisprudencën kushtetuese të deritanishme, do të duhej të pranonim se kryetarët e bashkive nuk gëzojnë më mbrojtje kushtetuese në procesin e shkarkimit të tyre. Kjo do të sillte një rënie të statusit të tyre nga organe të zgjedhura demokratikisht e të mbrojtura kushtetueshmërisht, në funksionarë të zakonshëm administrativë, të cilët mund të shkarkohen mbi bazë të kritereve të paautorizuara nga Kushtetuta e të vendosura njëanshmërisht nga ligjvënësi. Ky rezultat do të përmbyste parimin e autonomisë vendore të sanksionuar në Kushtetutë dhe në Kartën Evropiane të Autonomisë Vendore.

6. Duke qenë se Kushtetuta ka përcaktuar vetë shkaqet për të cilat mund të shkarkohet kryetari i bashkisë, dhe nuk ka autorizuar ligjvënësin të shtojë arsye të tjera shkarkimi, çdo rast i ndërprerjes së mandatit të tij mbetet i lidhur drejtpërdrejt me nenin 115 të Kushtetutës. Kjo normë është ndërtuar si një garanci e posaçme kushtetuese, që jo vetëm kufizon kompetencën e Këshillit të Ministrave, por edhe ngre një barrierë ndaj çdo tentative për të relativizuar mandatin e zgjedhur vendor nëpërmjet ndërhyrjeve të ligjvënësit. Prandaj, çdo përpjekje për të lexuar nenin 62 të ligjit nr. 139/2015 si krijim i një kategorie të re shkarkimi jashtë kuadrit kushtetues, do të ishte në vetvete një interpretim që nuk mund të bëhet, sepse është një interpretim antikushtetues, që bie ndesh me parimin e supremacisë së Kushtetutës dhe me funksionin mbrojtës që ajo i njeh mandatit të zgjedhur vendor.

7.  Në këtë logjikë, Gjykata Kushtetuese është gjithmonë kompetente për të shqyrtuar kërkesat që synojnë shfuqizimin e vendimeve të Këshillit të Ministrave për shkarkimin e kryetarëve të bashkive. Të pranohej e kundërta do të thoshte se përmes një akti ligjor ose nënligjor mund të arrihet zhveshja e Gjykatës Kushtetuese nga kompetencat që vetë Kushtetuta i ka dhënë, gjë që do të përmbyste hierarkinë e burimeve të së drejtës dhe do të hapte rrugën për instrumentalizimin e ligjit si mjet për të anashkaluar kontrollin kushtetues. Në thelb, nuk mund të përdoren instrumente të cilat, përdorin interpretime antikushtetuese të dispozitave ligjore, duke pretenduar ekzistencën e shkaqeve të reja të shkarkimit, përtej atyre kushtetuese, me synimin e arritjes së një rezultati që Kushtetuta nuk e ka parashikuar. Një qasje e tillë, përveçse e papranueshme në një shtet të së drejtës, do të rrënonte vetë funksionin e Gjykatës Kushtetuese si garantuese e rendit kushtetues dhe e parimeve kushtetuese, si p.sh. ndarja e pushteteve.

8.  Bazuar në nenin 115/2 të Kushtetutës organi i shkarkuar mund të ankohet brenda 15 ditëve në Gjykatën Kushtetuese. Gjykata Kushtetuese  është shprehur se si datë e fillimit të afatit të ankimit ndaj aktit individual, që cenon të drejtat e personit, do të konsiderohet data e marrjes dijeni nga personi për ekzistencën e aktit, pavarësisht formave të tjera të publikimit (vendimi nr.37, datë 25.07.2013 i Gjykatës Kushtetuese). Nëse kërkuesi pretendon se nuk ka marrë dijeni më parë për vendimin e shkarkimit, si rrjedhim, si datë e marrjes dijeni do të llogaritet data 17.05.2016 e botimit të vendimit të shkarkimit në Fletoren Zyrtare. (vendimi nr.67, datë 11.11.2016 i Gjykatës Kushtetuese) Siç do të argumentohet gjerësisht në vijim, kërkuesi  është cënuar në një sërë të drejtash kushtetuese si pasojë e vendimit objekt gjykimi dhe ka ngritur pretendime që lidhen me procedurën dhe kriteret e shkarkimit të tij nga detyra, si rrjedhojë, brenda afatit 15 ditor, legjitimohet edhe ratione temporis në paraqitjen e kësaj kërkese përpara Gjykatës Kushtetuese.