Aktualitet

Ermal Onuzi u dorëhoq, Simon Zereci komandohet në krye të Gardës së Republikës!

Pas dorëheqjes së Ermal Onuzit, Simon Zereci është komanduar si Drejtori i Përgjithshëm i Gardës së Republikës.

Njoftimi:

Me urdhër të Ministrit të Brendshëm, Z. Simon Zereci, me gradën Drejtues i Lartë dhe funksion Zëvendësdrejtor i Përgjithshëm i Gardës së Republikës, është caktuar në detyrën e Drejtorit të Përgjithshëm të Gardës së Republikës.

Zereci është lindur në Tiranë. Ka përfunduar shkollën e mesme ushtarake “Skënderbej” dhe më pas ka ndjekur studimet e larta në Shkollën e Lartë të Bashkuar të Oficerëve, në specialitetin “Gjithëarmësh”.

Karrierën ushtarake e nisi në vitin 1986 në strukturat e Ministrisë së Mbrojtjes, fillimisht si Komandant Toge në Repartin Ushtarak Zadrimë, më pas si Shef Stërvitjeje e të tjerë. Në vitin 1988 iu bashkua Gardës së Republikës, ku shërbeu në një sërë funksionesh, si: Komandant Toge; Specialist për Ruajtjen Fizike në Drejtorinë e Sigurisë së Personaliteteve të Larta Shtetërore; Komanant Toge në Kompaninë Operative; Zëvendëskomandant i Kompanisë Operative;  Përgjegjës i grupit të shoqërimit të Ministrit të Rendit Publik; Oficer shoqërues pranë Zyrës për Mbrojtjen e Personaliteteve; Shoqërues në grupin mbështetës në Degën e Ruajtjes dhe Mbrojtjes së Personaliteteve të Larta Shtetërore; Komandant Grupi në Njësinë Speciale; e të tjerë.

Që nga viti 2013 e në vijim, ka mbajtur funksionin e Komandantit të Njësisë Speciale në Gardën e Republikës. Gjatë karrierës së gjatë ushtarake është dalluar për përkushtimin dhe profesionalizmin e lartë, duke rrezikuar edhe jetën në krye të detyrës. Në shtator të vitit 1998 u plagos gjatë shërbimit, teksa mbante funksionin e Zëvendëskomandantit të Kompanisë Operative.

Z.Zereci ka kryer një sërë trajnimesh dhe kualifikimesh brenda dhe jashtë vendit në fushën e sigurisë, si: kurs për mbrojtjen e personaliteteve (VIP) në Egjipt; trajnim për sigurimin e personaliteteve të larta shtetërore me instruktorë amerikanë; program ndërkombëtar sigurie i zhvilluar nga specialistë të sigurisë amerikane; trajnim në teknikat e avancuara të vetëmbrojtjes “Krav Maga Maor”, e të tjerë.

Në vitin 2020 mori gradën Kolonel, që me sistemin e ri të gradave u konvertua në Drejtues i Parë. Me urdhër të ministrit të Brendshëm, u emërua Zëvendësdrejtor i Përgjithshëm i Gardës dhe iu dha grada Drejtues i Lartë.