Top Albania Radio mbush sot plot 28 vite. 28 vite dashuri, duke dhënë gjithmonë më të mirën për të gjithë dëgjuesit e saj besnikë. Në këtë ditë kaq të rëndësishme, ata që kanë qenë pjesë e Top Albania Radios që prej fillimeve të saj, kanë kujtuar me nostalgji hapat e parë të karrierës së tyre në radio, që më pas u bë si një katapultë për gjëra edhe më të mëdha. I ftuar mëngjesin e sotëm në studion e “Wake Up”, ka qenë gjithashtu edhe Ledion Liço, moderator dhe njëkohësisht drejtor i TAR.
Si i kujton fillimet e tua në Top Albania Radio?
Mbaj mend audicionet e para, ka qenë e vështirë të hyje në Top Albania Radio, ende e vështirë është. Ka qenë në vitin 2001, sapo ishin spostuar zyrat tek Piramida dhe këkonin një prezantues të Select-it. Unë e kam dëgjuar Top Albanian që në fillim, kujtoj fundin e 8-vjeçares e fillimin e gjimnazit. Në atë kohë e dëgjoja thuajse çdo ditë, ishte trendy, ishte young, kishte një vibe që i rrinte mendësisë së kohës, fare realitetit të kohës. Atëherë Tirana ishte një fshat i madh, nuk kishte rrugë, kishte shumë pak makina. Ishte një katund në plot kuptimin e fjalës. Top Albania ishte si të ëndërroje me sy hapur rrugës duke shkuar për diku. Kur u hapën audicionet isha ndër të parët që kam shkuar, doja të isha pjesë e Top Albanias, jo domosdoshmërisht si prezantues. Nuk e kam parë asnjëherë veten time si moderator, isha i mirë me fjalët, se fjala ka qenë diçka me të cilën kam rënë në dashuri që në fillim të shkollës. Audicioni i parë ka qenë një dështim. Bëra audicionin në fillim të verës dhe pastaj shkova në Greqi tek im atë dhe vëllezërit e mi dhe prisja me qejf të madh që dikush të më merrte në telefon. Audicionet atëherë dilnin dhe në transmetim dhe kur e kam parë, unë e fillova audicionin me “Hej njerëz”. Në 2002, nuk ishte shumë e bukur, nuk tingëllonte miqësore, por arrogante. Nuk fitova. Pastaj bëra Pole Position, sepse në verë të po atij viti filloi të shpërndahej sinjali i Top Channel. Dhe Bojkeni pas Pole Position, që ishte një lloj Amici i kohës, më thotë që hajde provoje. Kam bërë një si tip pseudo-audicioni atëherë me Arbanën. U futa në televizion, jo në radio. Është gjë e mirë të të thonë shumë ‘jo’ para se të marrësh një ‘po’. Gjeneratat e reja sot e duan ‘po’ menjëherë. Gjithmonë i them të rinjve të sotëm të Top Albanias që gëzohuni ‘jo-ve’, jo ‘po-ve’ në jetë. ‘Po’ janë ato që ju çbëjnë, ‘jo’ ju ndërtojnë. Brezit tim i është dashur të dëgjojë shumë ‘jo’ dhe pastaj i shijonte ajo ‘po’.
Si ka qenë të bësh “Wake Up” me Eno Popin?
Ka qenë si vazhdimësi e një projekti që me Enon nisëm në Top Albania. Për mua zgjimi herët ka qenë i vështirë. Enos i vinte natyrshëm. Ky është një program që të formon si shumë pak programe të tjera. Të bën të jesh i shumëanshëm dhe të intervistosh njerëz që i takojnë fushave të ndryshme. Të mbush, nëse je një enë boshe të mbush nga natyra dhe pastaj mund të të të hedhin kudo dhe ti mund të biesh në këmbë. Ka qenë shumë i mirë profesionalisht si program, por ka qenë i vështirë. Kishte raste që mungoja dhe 1 javë, m’u bë shumë i vështirë zgjimi në mëngjes. I kam thënë vetes që do bëj një punë deri në momentin që është qejf. Duhet të vish në punë me dëshirë. Ky vend ka halle dhe probleme sa të duash, nuk është aq keq. Jeta bëhet e bukur kur fillon dhe numëron bekimet që ke në të. Mbase jemi pak pesimist si popull. Por kjo ishte emblema e mediave që krijoi Tani, të krijonte një lloj ëndrre të prekshme, e cila mund të mos përputhet domosdoshmërisht me realitetin, por punë e madhe, pse duhet të përputhet çdo gjë me realitetin.