Mbrëmjen e sotme do të zbresin në fushë skuadrat e mëdha europiane pjesëmarrëse në fazën e 1/8-ave në Europa League dhe Conference League njëkohësisht. Mes pretendentëve për trofeun e dytë më të madh për klube janë dy klubet italiane të të njëjtit qytet, Roma dhe Lazio.
Bardhekaltrit e mbyllën fazën e parë të Europa League dhe në letër janë pretendent përballë Viktoria Plzen ku pritet që të ketë minuta edhe për mbrojtësin kuqezi Elseid Hysaj.
Ndërkohë Roma duke eliminuar Porton nga Liga e Europës, mund t’U ketë hapur rrugën rivalëve të qytetit drejt një suksesi, i cili do të ishte epik. Por vetë sot verdhekuqtë do të duhet të përballen me një prej pretendentëve për të fituar trofeun si spanjollët e Bilbaos.
Sa i përket futbollistëve të tjerë shqiptarë, Fenerbahçe e Murinjos pret Rejnxhërsin e Nedim Bajramit, ndërsa Real Sociedad luan me Mançester Junajtid.
Ndeshjet do të luhen në dy orare të ndryshme 18:45 dhe ora 21:00 dhe të gjithë tifozët shqiptarë do të kenë mundësinë t’i ndjekin këto takime drejtpërdrejtë në paketën Supersport të platformës Digitalb.