Debati për pjesëmarrjen e Izraelit në Eurovision 2026, që do të mbahet në Vjenë, po bëhet gjithnjë e më i ashpër. Shumë televizione kombëtare kanë marrë qëndrim, duke e kthyer këtë çështje në një prej polemikave më të mëdha të festivalit.
Izraeli është përballur prej vitesh me thirrje për përjashtim, për shkak të konfliktit në Gaza. Situata e fundit ka shtuar presionin ndaj organizatorëve për të ndaluar pjesëmarrjen e televizionit izraelit KAN.
Kundër pjesëmarrjes së Izraelit:
• Slovenia, Irlanda, Holanda dhe Spanja kanë paralajmëruar se nuk do të marrin pjesë në Eurovision nëse Izraeli rikthehet.
• Islanda dhe Belgjika kanë dhënë sinjale të ngjashme, por pritet të dalin me një vendim zyrtar pasi EBU të shpallë qëndrimin e saj.
• Edhe ministrja e Kulturës e Polonisë, Marta Cienkowska, deklaroi publikisht: “Besoj se nuk duhet të marrim pjesë nëse Izraeli është aty.”
Në mbështetje të Izraelit:
• Gjermania dhe Italia raportohet se kanë kërcënuar të tërhiqen nëse Izraeli përjashtohet.
• Televizioni gjerman SWR theksoi se Eurovision është një event që bashkon popujt përtej politikës dhe se Izraeli ka qenë pjesë e tij për më shumë se 60 vite.
• Ministri i Kulturës gjerman, Wolfram Weimer, shtoi: “Eurovision u themelua për të bashkuar kombet pas luftës. Përjashtimi i Izraelit sot do ta kthente atë në një gjyq politik.”
• Edhe televizioni i Maltës, Kroacisë dhe Australisë thanë se nuk do të tërhiqen, pavarësisht se çfarë ndodh me Izraelin.
Artistët fitues në anën tjetër:
Fituesit e fundit të Eurovision, JJ (Austri) dhe Nemo (Zvicër), janë shprehur publikisht se mbështesin përjashtimin e Izraelit, duke theksuar se veprimet e tij bien ndesh me vlerat e paqes dhe unitetit që promovon festivali.
Çështja është diskutuar gjatë verës në Unionin Evropian të Transmetuesve (EBU), por pa një vendim përfundimtar. Bisedimet do të vazhdojnë deri në fund të vitit, ndërsa vendet kanë afat deri në mes të dhjetorit për të konfirmuar pjesëmarrjen në edicionin e ardhshëm.