Aktorja kanadeze Evangeline Lilly, e njohur botërisht për rolin e Kate Austen në serialin legjendar “Lost”, ka ndarë një rrëfim prekës që ka shqetësuar ndjekësit e saj. Pas muajsh pasigurie dhe ekzaminimesh mjekësore, ajo ka konfirmuar se vuan nga dëmtime në tru si pasojë e një aksidenti të rëndë që pësoi vitin e kaluar.
Përmes një videoje emocionale të publikuar në rrjetet sociale, aktorja 46-vjeçare tregoi se pas një sërë testesh neurologjike, mjekët i kanë dhënë një diagnozë shqetësuese.
Lilly u shpreh hapur për gjendjen e saj, duke pranuar se rezultatet e skanimeve kanë treguar një rënie të ndjeshme të funksioneve njohëse.
Rezultatet kanë ardhur dhe unë dështova në pothuajse të gjitha fushat. Truri im po funksionon me një kapacitet më të ulët
-tha ajo me sinqeritet.
Ylli i filmave “Ant-Man” e lidhi përkeqësimin e gjendjes së saj drejtpërdrejt me një Dëmtim Traumatik të Trurit (TBI), një gjendje që ndodh kur një forcë e fortë godet kokën dhe ndikon në funksionimin normal të trurit.
Kam dëmtime në tru nga TBI dhe ndoshta edhe nga faktorë të tjerë
-pranoi Lilly.
Aksidenti që çoi në këtë situatë ndodhi në maj të vitit 2025, kur aktorja humbi ndjenjat papritur ndërsa ndodhej në plazh dhe u rrëzua me fytyrë mbi një shkëmb.
Në atë kohë, mjekët u përqendruan në trajtimin e plagëve të jashtme dhe përjashtimin e rreziqeve të menjëhershme si problemet kardiake apo nivelet e sheqerit, por pasojat neurologjike u shfaqën gradualisht.
Gjatë vitit 2025, Lilly tregoi se kishte përjetuar rikthime të simptomave, veçanërisht pas aktivitetit fizik në vapën e fortë të Hawaiit, çka e detyroi të ndalonte shpesh procesin e rikuperimit.
Është disi ngushëlluese të di që rënia ime njohëse nuk lidhet vetëm me perimenopauzën
-shpjegoi ajo.
Por është edhe e frikshme të kuptosh sa e vështirë do të jetë përpjekja për të përmbysur këto mangësi.
Rrëfimi i hapur i Evangeline Lilly ka ngjallur reagime të shumta mbështetjeje nga fansat dhe kolegët, të cilët i kanë uruar forcë dhe shërim në këtë betejë të vështirë shëndetësore.