Kryeministri Edi Rama po pret liderët që marrin pjesë në Samitin e gjashtë të Komunitetit Politik Evropian, një ngjarje që zhvillohet për herë të parë në një vend të Ballkanit Perëndimor. Samiti mbahet në Sheshin Skënderbej, dhe ku marrin pjesë 47 liderë së bashku me drejtuesit e institucioneve më të larta ndërkombëtare.
I pari që mbërriti ishte kryeministri i Holandës Dick Schoof, më pas presidentja moldave Maya Sandu. Priti edhe kryeministrin spanjoll Pedro Sanchez, si dhe shefen e diplomacisë së jashtme të BE, Kaja Kallas.
Rama ka pritur më herët në kryeministri dhe mbajti takim me kreun e NATO-s Mark Rutte, kryeministrin spanjoll Pedro Sanchez, ndërsa do të presë gjithashtu edhe Presidenten e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen; Princin Sovran të Monakos Albertin II; Kancelarin e Austrisë Christian Stocker; Presidentin e Turqisë Recep Tayyip Erdoğan; Kryeministren e Italisë Giorgia Meloni; Presidentin e Qipros Nikos Christodoulides; Kryeministrin e Hollandës Dick Schoof; Kryeministrin e Belgjikës Bart de Wever, si dhe do të mirëpresë me takime duarsh të gjithë liderët e ftuar në Samit me të cilët do të ketë edhe një foto familjare.
Samiti do të bashkëdrejtohet nga kryeministri Rama dhe presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa. Tema e samitit është: “Evropa e re në një botë të re: Unitet, bashkëpunim, veprim i përbashkët”, ndërsa diskutimet do të përqendrohen në tri tryeza të rrumbullakëta që do të trajtojnë çështje të sigurisë, konkurrencës ekonomike dhe fuqizimit të të rinjve, përballë sfidave si lufta në Ukrainë, mbrojtja evropiane dhe transformimi teknologjik.
Punimet e samitit do të përmbyllen me një konferencë për shtyp të përbashkët mes kryeministrit Rama dhe homologes së tij nga Danimarka, Mette Frederiksen, vendi ku do të mbahet samiti i radhës.