Aktualitet

Sot sheshi “Skënderbej”, kryeqendra e Europës! Zhvillohet samiti i Komunitetit Politik Europian

E premtja e kthen sheshin “Skënderbej” në kryeqendrën e Europës.

Samiti i gjashtë i Komunitetit Politik Europian do të mbahet në Tiranë, ku do të marrin pjesë liderë nga 47 shtete nga e gjithë Europa, përfshirë vende të Bashkimit Europian, Ballkanin Perëndimor, si dhe shtete të tjera të kontinentit.

Mes tyre do të jenë kryeministri britanik Keir Starmer, i cili mbërriti një ditë më parë në kuadër të vizitës zyrtare, kancelari gjerman Friedrich Merz, presidenti francez Emmanuel Macron, kryeministrja italiane Giorgia Meloni, kryeministri spanjoll Pedro Sanchez, presidenti turk Recep Tayyip Erdogan, kreu i NATO-s Mark Rutte, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky.

Kryeministri Edi Rama do ta nisë ditën me një sërë takimesh dypalëshe që i paraprijnë punimeve të samitit. Ai do të takohet fillimisht me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, dhe më pas me kryeministrin spanjoll Pedro Sanchez. Në total, Rama pritet të zhvillojë 10 takime me homologë të ndryshëm evropianë, përfshirë kryeministren italiane Meloni, presidenten e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen dhe presidentin turk Erdogan.

Samiti do të bashkëdrejtohet nga kryeministri Rama dhe presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa. Tema e samitit është: “Evropa e re në një botë të re: Unitet, bashkëpunim, veprim i përbashkët”, ndërsa diskutimet do të përqendrohen në tri tryeza të rrumbullakëta që do të trajtojnë çështje të sigurisë, konkurrencës ekonomike dhe fuqizimit të të rinjve, përballë sfidave si lufta në Ukrainë, mbrojtja evropiane dhe transformimi teknologjik.

Punimet e samitit do të përmbyllen me një konferencë për shtyp të përbashkët mes kryeministrit Rama dhe homologes së tij nga Danimarka, Mette Frederiksen, vendi ku do të mbahet samiti i radhës.

Diskutimet e samitit do të strukturohen në tryeza të larta tematike:

Tryeza e parë do të fokusohet në sigurinë e Evropës dhe qëndrueshmërinë demokratike, duke trajtuar çështje të rëndësishme si mbështetja për Ukrainën në arritjen e një paqeje të drejtë dhe të qëndrueshme, si dhe sfida afatgjata si mbrojtja e institucioneve demokratike nga ndërhyrjet e huaja dhe përforcimi i kapaciteteve të mbrojtjes së përbashkët evropiane.

Tryeza e dytë do të trajtojë forcimin e konkurrueshmërisë dhe sigurisë ekonomike, me fokus në inovacionin, infrastrukturën digjitale, qëndrueshmërinë energjetike dhe autonominë strategjike për mbrojtjen e zinxhirëve kritikë të furnizimit dhe balancimin e objektivave klimatike me fuqinë industriale.

Sesioni i tretë do të fokusohet në dinamikat komplekse të migracionit, mobilitetit dhe fuqizimit të të rinjve, në një epokë të shënuar nga inteligjenca artificiale dhe përshpejtimi i ndryshimeve teknologjike.

Komuniteti Politik Evropian është një nismë e propozuar për herë të parë nga presidenti francez Emmanuel Macron gjatë një fjalimi në Parlamentin Evropian më 9 maj 2022, me qëllim nxitjen e dialogut politik dhe bashkëpunimit për çështje të interesit të përbashkët, si dhe forcimin e sigurisë, stabilitetit dhe mirëqenies në kontinentin evropian.

Mbajtja e Samitit përfaqëson një moment me rëndësi historike si për Shqipërinë, ashtu edhe për rajonin në tërësi. Samiti i Tiranës zhvillohet gjithashtu në një moment vendimtar për Evropën, teksa kontinenti përballet me tensione në rritje në nivel global. Kërcënimet hibride, vështirësitë ekonomike dhe fragmentimi teknologjik po vënë në provë qëndrueshmërinë demokratike dhe nënvizojnë nevojën urgjente për një përgjigje më të koordinuar dhe të bashkuar evropiane.

AXHENDA E PLOTË E SAMITIT

10:00 – Mbërritje
11:00 – Ceremonia e hapjes
11:30 – Foto familjare
11:45 – Seanca e parë plenare
13:00 – Dreka zyrtare
14:30 – Tryeza tematike
15:45 – Takime dypalëshe midis Kryetarëve të Delegacioneve
17:30 – Seanca plenare mbyllëse
18:30 – Konferencë e përbashkët për shtyp me Kryeministrin e Shqipërisë dhe Kryeministren e Danimarkës (pritesi i radhës)

Liderët dhe zyrtarët që do të marrin pjesë:
1.       Antonio Costa, Presidenti i Këshillit Evropian
2.       Robert Abela, kryeministri i Maltës
3.       Albert II, princ i Monakos
4.       Ilham Aliyev, presidenti i Azerbajxhanit
5.       Luca Beccari, Ministër i Punëve të Jashtme, Bashkëpunimit Ekonomik Ndërkombëtar dhe Telekomunikacionit të San Marinos
6.       Alain Berset, Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Evropës
7.       Ilie Bolojan, Presidenti i Përkohshëm i Rumanisë
8.       Nikos Christodoulides, president i Qipros
9.       Zeljka Cvijanovic, kryetare e presidencës së Boshnjes dhe Hercegovinës
10.    Bart De Wever, Kryeministri i Belgjikës
11.    Rexhep Tayip Erdogan, president i Turqisë
12.    Xavier Espot Zamora, kryeministër i Andorës
13.    Petr Fiala, kryeministër i Republikës Çeke
14.    Robert Fico, kryeministër i Sllovakisë
15.    Mette Frederiksen, kryeministre e Danimarkës
16.    Luc Frieden, kryeministri i Luksemburgut
17.    Kristrún Mjöll Frostadóttir, kryeministre e Islandës
18.    Jonas Gahr Støre, kryeministri i Norvegjisë
19.    Robert Golob, kryeministri i Sllovenisë
20.    Brigitte Haas , kryeministre e Lihtenshtajnit
21.    Rosen Zhelyazkov, kryeministri i Bullgarisë
22.    Kaja Kallas, Zëvendëspresidente e Komisionit Evropian
23.    Karin Keller-Sutter, Presidente e Konfederatës Zvicerane
24.    Irakli Kobakhidze, kryeministri i Gjeorgjisë
25.    Ulf Kristersson, kryeministri i Suedisë
26.    Emmanuel Macron, presidenti i Francës
27.    Giorgia Meloni, kryeministre e Italisë
28.    Friedrich Merz, kancelari i Gjermanisë
29.    Roberta Metsola, presidente e Parlamentit Evropian
30.    Kristen Michal, kryeministër i Estonisë
31.    Hristijan Mickoski, kryeministër i Maqedonisë së Veriut
32.    Jakov Milatoviç, president i Malit të Zi
33.    Viktor Orban, kryeministër i Hungarisë
34.    Petteri Orpo, kryeministër i Finlandës
35.    Vjosa Osmani, presidente e Kosovës
36.    Gintautas Paluckas, kryeministër i Lituanisë
37.    Nikol Pashinyan, kryeministër i Armenisë
38.    Andrej Plenkovi?, kryeministër i Kroacisë
39.    Mark Rutte, Sekretari i Përgjithshëm i NATO
40.    Maia Sandu, presidente e Moldavisë
41.    Dick Schoof, kryeministër i Holandës
42.    Evika Sili?a, kryeministre e Letonisë
43.    Feridun Sinirlioglu, Sekretari i Përgjithshëm i OSBE-së
44.    Keir Starmer, kryeministër i Mbretërisë së Bashkuar
45.    Christian Stocker, kancelari i Austrisë
46.    Pedro Sanchez, kryeministër i Spanjës
47.    Konstantinos Tassoulas, president i Greqisë
48.    Donald Tusk, kryeministër i Polonisë
49.    Ursula Von der Leyen, presidente e Komisionit Evropian
50.    Aleksandër Vuçiç, president i Serbisë
51.    Volodymyr Zelensky, president i Ukrainës