Familja e Mateos ka reaguar publikisht pas diskutimeve të fundit në “Big Brother VIP Albania”, duke publikuar një deklaratë ku shpreh qëndrimin e saj dhe mbështetjen për banorin, në një moment kur situata mes tij dhe Brikenës ka qenë në qendër të vëmendjes.
Ky reagim vjen pas deklaratës së nënës së Brikenës, e cila u shpreh me fjalë pozitive si për vajzën e saj, ashtu edhe për Mateon, duke theksuar respektin dhe vlerësimin ndaj tyre.
Në deklaratën e shpërndarë në rrjetet sociale, familjarët e Mateos theksojnë se që nga fillimi kanë respektuar ndjenjat dhe zgjedhjet e tij, duke i qëndruar pranë me mirëkuptim dhe mbështetje.
Ata shtojnë se kanë preferuar të qëndrojnë të rezervuar deri në momentin kur situata u sqarua plotësisht nga të dy palët.
Familja shpreh gjithashtu vlerësim për familjen e Brikenës, duke nënvizuar korrektësinë dhe mirëkuptimin e treguar. Për Brikenën, ata përdorin fjalë pozitive, duke e cilësuar si një vajzë të edukuar, të ndjeshme dhe me vlera, e cila ka treguar qetësi dhe maturi në një situatë që nuk ka qenë e lehtë për t’u përballuar në sy të publikut.
Në përfundim të deklaratës, familjarët e Mateos shprehen krenarë për të dhe theksojnë se do të vazhdojnë ta mbështesin pa kushte në çdo vendim që ai merr, duke i qëndruar pranë për ta ndihmuar të ndihet i qetë dhe i sigurt në rrugëtimin e tij brenda shtëpisë së “Big Brother VIP Albania 5”.