Olivia Rodrigo ka bërë një deklaratë që ka shkaktuar reagime të shumta në rrjetet sociale, pasi zbuloi se disa fansa të saj shkojnë deri në masa ekstreme vetëm për të mos humbur vendin në rreshtin e parë gjatë koncerteve.
Këngëtarja 23-vjeçare foli për këtë fenomen gjatë promovimit të albumit të saj më të ri, “You Seem Pretty Sad for a Girl So in Love”, në emisionin “KISS FM UK”.
Sipas artistes, ajo ka vënë re gjatë performancave se disa adhurues zgjedhin të veshin pelena, në mënyrë që të mos largohen nga vendi i tyre as për një moment.
Kam qenë në koncerte dhe festivale ku njerëzit veshin pelena që të mund të qëndrojnë në rreshtin e parë gjatë gjithë shfaqjes
-tha Rodrigo, duke habitur moderatorët e emisionit.

Ajo shtoi se kjo është diçka që e ka vënë re vetë si performuese, duke treguar se dëshira e fansave për të qenë sa më afër artistëve po shkon gjithnjë e më larg.
Fenomeni nuk është i panjohur në industrinë muzikore.
Gjatë turneut rekord “Eras Tour” të Taylor Swift, shumë pjesëmarrës publikuan video në TikTok ku pranonin se kishin përdorur të njëjtën metodë për të mos humbur asnjë sekondë të koncertit, veçanërisht pasi kishin shpenzuar shuma të mëdha për biletat.
Deklarata e Rodrigo-s vjen në një periudhë kur ajo është përballur edhe me kritika të forta në internet lidhur me stilin e saj në skenë.
Artistja reagoi së fundmi ndaj akuzave se po përdorte estetikë që lidhet me fëmijërinë për të tërhequr vëmendje, pas paraqitjes së saj me një fustan në stil “babydoll” gjatë një koncerti.
Rodrigo i hodhi poshtë këto pretendime, duke argumentuar se kritikat e tilla tregojnë një problem më të thellë në mënyrën se si shoqëria seksualizon vajzat e reja.
Më ka mërzitur shumë kjo gjë. Jo për veten time, por për mesazhin që përcjell
-u shpreh ajo, duke shtuar se njerëzit janë të lirë të kenë opinionet e tyre, por nuk pajtohet me mënyrën se si interpretohen zgjedhjet e saj artistike.
Ndërkohë, deklarata për fansat që veshin pelena ka pushtuar rrjetet sociale, duke hapur një debat të ri mbi sjelljet ekstreme që disa adhurues janë të gatshëm të bëjnë për të qenë sa më pranë idhujve të tyre.