Sport

Fitoi titullin kampion dhe shkroi historinë me kualifikimin në Europë, trajneri ndan rrugët me klubin shqiptar!

Shkëndija ka konfirmuar zyrtarisht ndarjen me trajnerin Jeton Beqiri, pas përfundimit të kontratës në fund të sezonit 2025/2026.

Beqiri largohet nga pankina kuqezi pas një periudhe të suksesshme, ku arriti të shkruajë historinë me klubin tetovar.

Nën drejtimin e tij, Shkëndija fitoi titullin kampion në sezonin 2024/2025 dhe realizoi ecurinë më të mirë në arenën europiane, duke siguruar për herë të parë pjesëmarrjen në fazën e ligës së UEFA Conference League dhe duke avancuar deri në fazën play-off.

Pas mbylljes së marrëveshjes, palët vendosën të mos vazhdojnë bashkëpunimin edhe për sezonin e ardhshëm.

Beqiri është një emër i njohur edhe në futbollin shqiptar. Ai më herët drejtoi Bylisin, me të cilin arriti të shpallej kampion në Kategoria e Parë. Gjithashtu, te Shkëndija kishte punuar edhe si ndihmës i trajnerit Shpëtim Duro.

LEXO EDHE: Jose Mourinho te Reali i Madridit? Zgjedhjet te Los Blancos bllokojnë kthimin e portugezit në Spanjë

Trofeu i vetëm i Beqirit si trajner kryesor mbetet titulli kampion me Shkëndijën, ndërsa në sezonin e fundit skuadra nuk arriti të triumfojë përballë FK Vardar.

Në reagimin zyrtar, klubi falënderoi trajnerin për kontributin e dhënë dhe i uroi suksese në vijim të karrierës së tij profesionale.

LEXO EDHE: Superiore/ Elbasani nuk dorëzohet për titullin kampion, mund me tre gola Dinamon dhe shpreson te mrekullia në javën e fundit