Trajneri i Tiranës, Ardian Nuhiu doli në konferencë pas ndeshjes së fituar 0-1 ndaj Bylisit.
“Futbolli kërkon vazhdimësi dhe besoj që kemi shumë punë deri në fund. Duhet të përgëzoj futbollistët për mënyrën si interpretuan ndeshjen, në aspektin taktik ishin shumë të disiplinuar, gjithashtu kishte guxim, kurajë e personalitet, atë që kishim përgatitur e arritëm, në të dy pjesët. Mendoj se me plot meritë e fituam, edhe pse e dimë që në Ballsh është fushë e vështirë. Kishim raste në pjesën e parë dhe në të dytën, ku shkuam te rasti që u realizua penalltia. Duhet të jemi me këmbë në tokë, kemi shumë punë për të bërë, por besoj fuqishëm te cilësia e grupit dhe fitorja është e tyrja sot. Kërkoja nga skuadra të rrinim te zona e dytë për të shfrytëzuar shpejtësinë që kemi në sulm, mes pjesëve ngjita më lart Patrik dhe Alvarez dhe kishim vetëm Rafa, në një 4-1-4-1, shumë më mirë funksionoi. Merkato? Kemi diskutuar, ndoshta jemi në pritje të dy futbollistëve, në mesfushë do të shtojmë konkurrencën, me këto dy blerje, skuadra bëhet më e plotë për shkak se rruga është e gjatë. Drejtuesit po punojnë në këtë aspekt që të arrijmë të sjellim këta dy futbollistë”, tha trajneri Nuhiu.
Trajneri i Bylis, Mirel Josa:
“Penalltia erdhi si pasojë e mugesës së ekuilibrit në mesfushën tonë. Duhet të kishim qenë më shumë të përqendruar. Kërkova më shumë zhdërvjellësi në zonën e Tiranës. Sulmuesit tanë ishin shumë larg për të vendosur në rrezik portën rivale. Duhet të kishim një barrikadë në mbrojtje. Plani ishte i qartë fillimisht, por na u prishën ekuilibrat gjatë lojës. Goli që pësuam, ne ishte shumë lart, humbëm topin dhe më pas ndodhi ajo që ndodhi. Prisja më shumë siguri nga ekipi. S’kishim shumë zgjedhje në prapavijën e Tiranës për të shënuar. Humbja? Ndeshje futbolli. Nuk mund të kesh qasje. Në asnjë ndeshje nuk futem për barazim. Ndeshja ka plot deri në fund të sezonit dhe të shohim se çfarë gjendje do kemi në vazhdim”.