Tirana e nis me këmbë të mbarë vitin 2026 në Kategorinë Superiore. Skuadra bardheblu mori një fitore të çmuar teksa mposhti Bylisin në transfertë me rezultatin 1-0 në atë që konsiderohet si sfida e mbijetesës me kryeqytetasit që regjistruan fitoren e dytë në këtë sezon në kampionat
Momenti që vendosi fatin e kësaj ndeshjeje u regjistrua në pjesën e dytë, pasi e para përfundoi me barazimin 0-0. Gjatë këtij fraksioni të dytë të lojës, arbitri Enea Jorgji akordoi një 11 metërsh për Tiranën pas verifikimit në sistemin VAR.
Te pika e bardhë shkoi Rafael i cili nuk gaboi duke e dërguar topin në rrjetë për t’i dhënë avantazhin 1-0 Tiranës që rezultoi të ishte edhe rezultati përfundimtar i sfidës.
LEXO EDHE: Amorim nuk do të kthehet menjëherë në pankinë, pritet të zëvendësojë Mourinhon, Conte drejt United
Por edhe pas kësaj fitoreje Tirana mbetet në vendin e fundit me 13 pikë pas 19 ndeshjesh, ndërsa Bylis mbetet me 18 pikë në vendin e 8 të renditjes.
BYLIS 0-1 TIRANA
Rafael 63′ (P)
Në orën 17:00 do të zhvillohen dy ndeshjet e tjera. Në stadiumin “Loro Boriçi” do të luhet supersfida Vllaznia – Egnatia, ndërsa në “Elbasan Arena”, AF Elbasani do të përballet me Flamurtarin.
Të enjten janë programuar dy ndeshjet e fundit të javës së 19-të të “Abissnet Superiore”. Në orën 13:30, në stadiumin e Vorës, do të luhet ndeshja Partizani – FK Vora.
Java e 19-të do të mbyllet me takimin Teuta – Dinamo City, që do të zhvillohet në stadiumin “Niko Dovana”, në orën 17:00.
Abissnet Superiore, java 19
14.01.2026
Bylis – Tirana 0-1
Vllaznia – Egnatia 17:00
AF Elbasani – Flamurtari 17:00
15.01.2026
Partizani – FK Vora 13:30
Teuta – Dinamo City 17:00