Shumë njerëz mendojnë se sekreti i një gjumi të mirë qëndron vetëm te numri i orëve që kalojnë në shtrat. Por shkenca po tregon se ekziston edhe një faktor tjetër po aq i rëndësishëm, koha kur flemë.
Mund të flini tetë orë dhe përsëri të zgjoheni të lodhur, ndërsa një natë tjetër me të njëjtën kohë gjumi mund t’ju lërë më energjikë.
Arsyeja lidhet me ritmin biologjik të trupit, i njohur si ritmi cirkadian, “ora e brendshme” që kontrollon ciklet e gjumit, zgjimit, temperaturën e trupit, hormonet dhe shumë procese të tjera.
Sipas ekspertëve, trupi nuk ka nevojë vetëm për gjumë të mjaftueshëm, por edhe për një orar të qëndrueshëm. Një studim i madh me mbi 60 mijë persona sugjeroi se rregullsia e orarit të gjumit mund të jetë një tregues më i fortë për shëndetin afatgjatë sesa vetëm numri i orëve të fjetura.
Çdo qelizë e trupit funksionon sipas një cikli rreth 24-orësh. Ky sistem ndihmon organizmin të përgatitet për gjumë në mbrëmje dhe për aktivitet gjatë ditës.
Kur flemë në orare të ndryshme çdo natë, trupi humbet ritmin e tij natyror.
Prodhimi i melatoninës, hormoni që sinjalizon se është koha për të fjetur, mund të çrregullohet, ndërsa procese si metabolizmi dhe reagimi imunitar mund të ndikohen.
Kjo është arsyeja pse shumë njerëz ndihen të lodhur pas fundjavave kur flenë shumë më vonë se zakonisht. Ky ndryshim i madh mes orarit të javës dhe fundjavës shpesh quhet “social jet lag”, një lloj udhëtimi biologjik pa ndryshuar vendndodhje.
Ekspertët e gjumit theksojnë se nuk ekziston një orë magjike që funksionon për të gjithë. Disa persona janë natyrshëm më aktivë në mëngjes, ndërsa të tjerë kanë një ritëm më të vonshëm.
Megjithatë, ajo që duket më e rëndësishme është që trupi të ketë një rutinë të parashikueshme: të flini dhe të zgjoheni afërsisht në të njëjtën kohë çdo ditë. Konsistenca e orarit të gjumit është lidhur me përmirësim të shëndetit, performancës dhe mirëqenies së përgjithshme.
Një nga sinjalet më të fuqishme për trupin është drita natyrale.
Ekspozimi ndaj dritës së mëngjesit i tregon trurit se dita ka filluar dhe ndihmon në sinkronizimin e ritmit cirkadian. Në të kundërt, drita e fortë gjatë natës, veçanërisht nga ekranet, mund të vonojë sinjalet e gjumit.
Si ta përmirësoni ritmin e gjumit?
Ekspertët rekomandojnë disa ndryshime të thjeshta:
-zgjohuni në të njëjtën orë çdo ditë, edhe në fundjavë;
-merrni dritë natyrale në mëngjes;
-shmangni ndryshimet e mëdha të orarit të gjumit;
-kufizoni ekranet para gjumit;
-krijoni një rutinë relaksuese para se të flini.
Në fund, mesazhi i shkencës është i qartë: një gjumë cilësor nuk matet vetëm me orët që kalojmë duke fjetur. Trupi ynë funksionon më mirë kur gjumi vjen në një ritëm që mund ta parashikojë.
Ndonjëherë ndryshimi më i madh për shëndetin nuk është të flemë më gjatë, por të flemë më rregullisht.