Një ketër albino është parë në National Mall në Washington DC të SHBA-së. Pamjet treguan ketrin e bardhë duke lëvizur mbi bar, ndërsa ketra të tjerë mblidheshin pranë tij. Anëtarë të Gardës Kombëtare gjithashtu u panë duke ushqyer ketrat në zonë.

Albinizmi është një gjendje gjenetike e rrallë që shkakton humbje të pjesshme ose të plotë të pigmentimit dhe ndodh te ketrat rreth një në 100 mijë lindje. Shkencëtarët vlerësojnë se vetëm rreth 20 ketra albino ekzistojnë mes gati dy milionë ketrave në SHBA.

Ndërkaq, një pinguin femër pothuajse tërësisht i bardhë u pa në Antarktidën e Kilit në bazën Gabriel González Videla. Pinguini është fotografuar duke shijuar ambientin e akullt në fillim të janarit dhe i përket llojit Gento, i cili zakonisht ka pupla bardh e zi, por ky është pothuajse tërësisht i bardhë.
“Është një zog me leucizëm, kështu që edhe pse pigmenti është i pranishëm, nuk është rasti me të gjithë trupin. Raste të tilla mund të gjenden në specie të ndryshme, kafshë të tilla kanë pigment, por nuk është universal. Prandaj, është një çështje leucizmi, e cila ndryshon nga albinizmi ku ka mungesë të plotë të pigmentit”,-tha veterineri Diego Penaloz. Këta pinguinë janë shumë të rrallë dhe meqenëse nuk kanë ngjyrat tipike bardh e zi është më e lehtë për grabitqarët t’i dallojnë dhe t’i gjuajnë.