Franca do ta njohë Palestinën si shtet. Këtë e njoftoi presidenti Emmanuel Macron dje në mbrëmje.
Në përputhje me angazhimin historik për një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme në Lindjen e Mesme, kam vendosur që Franca të njohë shtetin e Palestinës.
Macron theksoi se do ta shpallë solemnisht këtë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, në shtator. Sipas tij, paqja është e mundur. Shefi i Elizesë vuri në dukje se iu takon francezëve ta demonstrojnë këtë së bashku me izraelitët, palestinezët dhe partnerët evropianë e ndërkombëtarë.
Në postimin e tij, nënvizoi se është urgjentisht e nevojshme të përfundojë lufta në Rripin e Gazës dhe të ofrohet ndihmë për popullsinë civile. Përveç kësaj, vuri në dukje se duhet të sigurohet demilitarizimi i lëvizjes islamiste palestineze Hamas.
Macron shkroi se duhet të sigurohet qëndrueshmëria e një shteti palestinez.
Nuk ka alternativë.
Hamasi reagoi duke mirëpritur njoftimin e presidentit francez, Emmanuel Macron se Franca do ta njohë Palestinën si shtet, duke e quajtur atë një hap pozitiv drejt arritjes së drejtësisë dhe vetëvendosjes për popullin palestinez.
Në një deklaratë, grupi radikal palestinez që sulmoi Izraelin më 7 tetor 2023, iu bëri thirrje vendeve të tjera, veçanërisht atyre në Evropë që të ndjekin shembullin e Francës e rikonfirmoi qëllimin për të krijuar një shtet sovran palestinez me Jerusalemin si kryeqytet.
Ky veprim i presidentit francez ka tërhequr kritika të ashpra nga kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, si dhe nga të tjerë zyrtarë izraelitë, të cilët argumentojnë se kjo do të shpërblente Hamasin e do të minonte perspektivat për paqe.