Në Francë, Marine Le Pen dhe 8 eurodeputetë nga partia e saj Fronti Kombëtar u shpallën fajtorë për përvetësim të fondeve publike ndërsa pritet dënimi. Prokuroria ka kërkuar 5 vite burg, 3 prej të cilave janë pezulluar, pa pritur shkallët e tjera të gjyqësorit. Le Pen dhe të pandehurit e tjerë u akuzuan për përdorimin e parave të destinuara për asistentët e Parlamentit Europian. Por, në vend të tyre paguan stafin që punonte për partinë.
Një mashtrim 2.9 milion euro
Gjykata e Parisit që shpalli fajtore Marine Le Pen-in dhe 8 eurodeputetë nga Rassemblement National në skandalin e asistentëve parlamentarë në Strasburg, beson se rasti përfaqësonte një mashtrim prej 2.9 milion eurosh për taksapaguesit europianë.
Parlamenti Europian u detyrua të paguajë njerëz që në fakt kanë punuar për partinë dhe jo në nivel kombëtar. 12 ish-asistentët e parlamentit të pranishëm në gjykatë u shpallën gjithashtu fajtorë.
Gjyqtari: firmosën “kontrata fiktive”
Nëntë deputetët dhe dymbëdhjetë asistentët parlamentarë të shpallur fajtorë nënshkruan “kontrata fiktive”, si pjesë e një “sistemi” të vërtetë përvetësimi brenda Frontit Kombëtar. Këtë e deklaroi gjykatësi, Bénédicte de Perthuis, në ditën e vendimit.
U konstatua se të gjithë këta persona kanë punuar realisht për partinë, se deputeti i tyre (përkatës) nuk iu kishte besuar asnjë detyrë dhe se kalonin nga një deputet në tjetrin. Nuk bëhej fjalë për punën e asistentëve, por për burimet e deputetëve.
De Perthuis paralajmëroi:
Lërini gjërat të jenë të qarta: askush nuk po gjykohet për përfshirje në politikë, nuk është kjo çështja. Çështja është nëse kontratat janë përmbushur apo jo.
A do të jetë Bardella pasardhësi i Le Pen-it?
Zyrtarja e lartë e Frontit Kombëtar, 56 vjeçe, doli e dyta pas presidentit Emmanuel Macron në zgjedhjet presidenciale të viteve 2017 e 2022 dhe mbështetja elektorale e partisë së saj është në rritje vitet e fundit. Gjatë gjyqit nëntë-javor që u zhvillua në fund të 2024-ës, Le Pen pati argumentuar se “mospërshtatshmëria” do të kishte efektin e privimit të saj nga të qenit kandidate presidenciale. Po ashtu, foli për heqjen e të drejtës së mbështetësve të saj. Pasardhësi i Le Pen-it mund të jetë Jordan Bardella, 29-vjeçari që e pasoi Le Pen-in në krye të partisë, në vitin 2021.