Një nga simbolet më të njohura të Britanisë dhe frymëzimi i panumërt i legjendave të Robin Hood-it nuk jeton më. Major Oak, lisi gjigant i Pyllit Sherwood, i vlerësuar të jetë mes 1,000 dhe 1,200 vjeç, është shpallur zyrtarisht i vdekur pasi nuk prodhoi asnjë gjethe gjatë pranverës së vitit 2026.
E vendosur në Sherwood Forest, pema ishte e lidhur ngushtë me legjendën e Robin Hood. Sipas traditës popullore, ajo shërbente si strehë për Robin Hood-in dhe shokët e tij gjatë arratisjeve nga Sherifi i Nottinghamit. Për dekada me radhë, ajo ka qenë një nga atraksionet natyrore më të vizituara në Britani.
Ekpertët besojnë se fundi i pemës erdhi si rezultat i një kombinimi faktorësh: mosha e madhe, valët e të nxehtit dhe thatësirat e viteve të fundit, dëmtimi gradual i rrënjëve dhe ngjeshja e tokës nga qindra mijëra vizitorë që e kanë vizituar ndër vite. Pavarësisht përpjekjeve intensive të konservimit, gjendja e saj u përkeqësua vazhdimisht.
Megjithatë, historia e Major Oak nuk përfundon këtu. Konservatorët kanë bërë të ditur se pema do të mbetet në këmbë për sa kohë të jetë e sigurt, pasi edhe e vdekur vazhdon të jetë një habitat i rëndësishëm për insekte, kërpudha, zogj dhe specie të tjera të pyllit. Fidanë dhe pasardhës të saj janë mbjellë në vende të ndryshme për të ruajtur trashëgiminë e këtij monumenti natyror.
Vdekja e Major Oak po konsiderohet nga ambientalistët si humbja e një prej pemëve më ikonike në botë – një dëshmi e gjallë e historisë, folklorit dhe natyrës britanike që i mbijetoi më shumë se një mijëvjeçari.