Celebrities Sport

Futbolli afrikan në zi, ndahet nga jeta sulmuesi i njohur Tendai Ndoro!

Futbolli afrikan ka humbur një nga emrat e tij më të spikatur. Ish-sulmuesi i Kombëtares së Zimbabwes, Tendai Ndoro, është ndarë nga jeta në moshën 40-vjeçare.

Ai u gjet i pajetë në banesën e tij në Johannesburg, ndërsa shkaqet e vdekjes ende nuk janë bërë të ditura. Mediat lokale raportojnë se kohët e fundit lojtari kishte hasur probleme shëndetësore.

Lajmin e hidhur e ka konfirmuar klubi i tij i mëparshëm, Orlando Pirates, me të cilin Ndoro pati një periudhë të shkëlqyer, duke realizuar 23 gola në dy sezone dhe duke u renditur ndër golashënuesit më të mirë të kampionatit.

Karriera e tij nisi në Zimbabve, për të vijuar më pas në disa skuadra të Afrikës së Jugut, Arabisë Saudite dhe Omanit.

Ndoro ka veshur fanellën e Kombëtares së Zimbabwes në 14 ndeshje zyrtare, ku ka shënuar pesë gola, përfshirë një në Kupën e Kombeve të Afrikës në vitin 2017.

Pas lajmit të trishtë, rrjetet sociale janë mbushur me mesazhe ngushëllimi dhe homazhe nga tifozë e ish-bashkëlojtarë, të cilët e kujtojnë si një “legjendë” të futbollit afrikan dhe një lojtar që la gjurmë me talentin dhe përkushtimin e tij.