Bota

Futbolli në zi, humb jetën në moshën 25-vjeçare futbollisti që luajti në Botëror me Afrikën e Jugut

Futbolli i Afrikës së Jugut është tronditur nga lajmi për vdekjen e mesfushorit Jayden Adams, vetëm 25 vjeç. Lajmi u raportua nga media sportive Soccer Laduma, e cila bëri të ditur se përfaqësuesit dhe menaxheri i futbollistit kanë konfirmuar ngjarjen.

“Detajet rreth vdekjes së Adams mbeten ende të paqarta. Ekipi ynë ka folur me përfaqësuesit e lojtarit dhe kujdestarin e tij, të cilët konfirmuan lajmin tragjik”, shkruan Soccer Laduma.

Nëse lajmi konfirmohet zyrtarisht nga autoritetet ose klubi, vdekja e Adams vjen vetëm pak ditë pasi ai ishte një nga protagonistët e kombëtares së Afrikës së Jugut në Kupën e Botës, duke ndihmuar ekipin të bëhej kombëtarja e parë e vendit që arrin fazën me eliminim direkt të turneut.

Mentori i tij, Brendine Johnson, konfirmoi lajmin për Soccer Laduma, duke kërkuar që të respektohet privatësia e familjes.

“Në këtë moment gjithçka është ende shumë e freskët. Familja nuk dëshiron të kontaktohet. Kjo humbje na ka tronditur të gjithëve. Kisha folur me të të enjten dhe ishte shumë optimist për rikthimin pas Kupës së Botës. Askush nuk e priste këtë”, u shpreh Johnson.

Lajmi bëhet edhe më prekës pasi Adams kishte përjetuar një tjetër tragjedi personale gjatë Botërorit. Sipas ish-kapitenit të Afrikës së Jugut, Doctor Khumalo, mesfushori mësoi për vdekjen e gjyshes vetëm pak orë para ndeshjes së fazës së grupeve kundër Çekisë, më 18 qershor në Atlanta.

Pavarësisht dhimbjes, ai vendosi të luante, duke ndihmuar Afrikën e Jugut të siguronte një barazim 1-1, rezultat që mbajti gjallë shpresat për kualifikim.

Më pas, kombëtarja realizoi një fitore historike ndaj Koresë së Jugut, duke u renditur e dyta në Grupin A dhe duke siguruar për herë të parë një vend në fazën me eliminim direkt të Kupës së Botës, ku do të përballej me Kanadanë.

Doctor Khumalo e vlerësoi Adams si një futbollist me profesionalizëm të jashtëzakonshëm, i cili vazhdoi të jepte maksimumin në fushë edhe në rrethana tepër të vështira personale.

Deri tani, nuk janë bërë publike shkaqet e vdekjes së 25-vjeçarit, ndërsa pritet një reagim zyrtar nga klubi i tij, Mamelodi Sundowns, dhe Federata e Futbollit e Afrikës së Jugut.