Nga gara për drejtimin e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH) janë skualifikuar 6 kandidatë nga 13 që kishin aplikuar në total. Shkaku kryesor i përjashtimit ka qenë mungesa e dokumentacionit të plotë apo mosplotësimi i kushteve ligjore të përcaktuara në kriteret e shpallura.
Më herët, SPAK-u kishte shtyrë afatin për nisjen e procedurave për përzgjedhjen e kreut të ri të BKH-së, pikërisht për shkak të problemeve të konstatuara në dokumentacionin e dorëzuar nga kandidatët.
Aktualisht, në garë kanë mbetur 7 kandidatë, të cilët do të kalojnë në fazën e intervistimit dhe vlerësimit nga Komisioni i Posaçëm i ngritur pranë SPAK. Pas këtij procesi, do të përzgjidhen kandidatët që do të kalojnë në fazën finale të konkurrimit për postin e drejtuesit të BKH-së.
Procesi i përzgjedhjes së kreut të ri u hap pas përfundimit të mandatit të drejtoreshës së parë të BKH-së, Aida Hajnaj, më 31 gusht 2024. Sipas ligjit, drejtuesi i Byrosë emërohet për një mandat pesëvjeçar.