Një rritje e ankthit dhe depresionit ka çuar rastet globale të shëndetit mendor në 1.2 miliardë, duke nxjerrë në pah një barrë në rritje që sistemet shëndetësore nuk janë të përgatitura ta përballojnë. Numri i njerëzve që jetojnë me probleme të shëndetit mendor është pothuajse dyfishuar gjatë 30 viteve të fundit, i nxitur kryesisht nga rritjet e ndjeshme të ankthit dhe depresionit në mbarë botën, sipas një studimi të ri.
Analiza, e botuar në revistën mjekësore The Lancet si pjesë e Studimit Global të Barrës së Sëmundjeve 2023, vlerëson se rreth 1.2 miliardë njerëz jetonin me një gjendje të shëndetit mendor në vitin 2023. Kjo shënon një rritje prej 95% që nga viti 1990. Rritja ishte edhe më e madhe për çrregullimin depresiv të madh dhe çrregullimet e ankthit, të cilat u rritën me 131% dhe 158% përkatësisht, duke i bërë ato dy gjendjet më të zakonshme të shëndetit mendor në botë.
“Përgjigjia ndaj nevojave të shëndetit mendor të popullsisë sonë globale, veçanërisht atyre më të prekshëm, është një detyrim, jo një zgjedhje”, shkruan autorët.
Raporti i përshkruan çrregullimet mendore si sëmundje të përhapura që shkaktojnë vuajtje të mëdha njerëzore dhe humbje të shëndetit afatgjatë. Përtej kostos personale, autorët thanë se sëmundjet mendore prekin gjithashtu familjet, vendet e punës dhe qeveritë përmes produktivitetit të reduktuar, pjesëmarrjes më të ulët në fuqinë punëtore dhe presionit në rritje mbi sistemet e mirëqenies dhe kujdesit shëndetësor.
Jo të gjithë vuajnë në mënyrë të barabartë
Ndërsa gjendjet e shëndetit mendor janë rritur globalisht, barra nuk ndahet në mënyrë të barabartë. Autorët kanë raportuar 620 milionë raste të çrregullimeve mendore tek femrat dhe 552 milionë tek meshkujt, megjithëse ata vunë re se janë bërë pak kërkime për të përcaktuar faktorët që ndikojnë në ndryshimin gjinor në çrregullimet mendore.
“Krahasuar me meshkujt, femrat përjetojnë vetëvlerësim më të ulët, tendencë më të madhe ndaj turpit që lidhet me trupin dhe shkallë më të larta të dhunës në familje dhe abuzimit seksual”, tha raporti.
Faktorë të tjerë që mund të shpjegojnë këtë ndryshim përfshijnë ndryshimet biologjike, veçanërisht gjatë periudhës peripartum, rritjen e përgjegjësive në karrierë dhe pabarazitë strukturore siç është diskriminimi gjinor. Midis grave, depresioni dhe ankthi ishin gjendjet më të zakonshme. Çrregullimi depresiv i vazhdueshëm, çrregullimi bipolar, anoreksia nervore dhe bulimia nervore ishin gjithashtu më të përhapura tek gratë.
Në të kundërt, problemet neurozhvillimore dhe të sjelljes, duke përfshirë ADHD-në, çrregullimin e sjelljes dhe autizmin, ishin më të zakonshme tek burrat. Barra më e lartë e shëndetit mendor në nivel global u gjet tek adoleshentët e moshës 15 deri në 19 vjeç, duke theksuar nevojën për parandalim të hershëm dhe mbështetje të synuar për të rinjtë.