Udhëtim me votën e shqiptarëve në zgjedhje. Top Albania Radio vjen me një maratonë informative dhe analitike me raportime nga terreni dhe opinionistë për të sjellë në kohë reale gjithçka do ndodhë ditën e zgjedhjeve më 11 Maj dhe ditët në vijim deri në daljen e rezultatit të plotë.
Top Albania Radio ju sjell një maratonë zgjedhore me raportime të gazetarëve të Top Media nga çdo cep i Shqipërisë – shoqëruar me analiza në studio, intervista me protagonistët dhe rezultatet e çdo qyteti.
Në një lidhje telefonike për “Live From Tirana” me Edi Hallaçin, ka qenë gazetarja e Top Channel, Elda Menga nga KAS. Çfarë po ndodh në Komisionin e Ankimimeve dhe Sanksioneve?
Pritet që të ketë një mbledhje dhe debati për votat e Diasporës të mbërritura nga Greqia, të kthehen në një mollë sherri të përplasjes mes Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike. Kemi një kërkesë nga ana e drejtuesit të Diasporës, Taulant Balla, i cili kërkon që të rrëzohet vendimmarrja e komisionerit Ilirjan Celibashi, që vendosi që votat e mbërritura nga Greqia të ndahen, të mos preken nga numëruesit, pa u numëruar më parë votat e ardhura nga qytetet e tjera. Në fakt, kjo ka qenë një kërkesë edhe e Partisë Demokratike, të cilës komisioneri Celibashi i dha të drejtë, për të shmangur edhe tensionin e krijuar një ditë më parë në Parkun Olimpik të Tiranës, ku po numërohet edhe vota e Diasporës. Ndërkohë një vendimmarrje e tillë refuzohet nga Partia Socialiste, me argumentin se është në shkelje të kodit elektoral. Pritet për t’u parë se debati është interesant në Komisionin e Ankesave dhe Sanksioneve, pasi në rast të rrëzimit të vendimmarrjes së Celibashit, pritet që debati të kthehet në pikën zero, aty ku demokratët do tentojnë të tërheqin numëruesit e tyre dhe do tentojnë të bllokojnë numërimin e votës së Diasporës. Vendimmarrja në KAS është 3 me 2. Ndërkohë që ne e dimë që 3 anëtarë të përzgjedhur në KAS janë nga mazhoranca dhe pritet që vota e tyre të reflektojë qëndrimin e Partisë Socialiste. Në rast se vendimmarrja e Celibashit nuk rrëzohet nga KAS, atëherë opsioni B i demokratëve është fillimisht t’i drejtohen Kolegjit Zgjedhor, ndërkohë betejën ta bëjnë edhe në Parkun Olimpik, që të bllokojnë numërimin deri sa hallka e fundit të flasë, pra Kolegji Zgjedhor.