Aktualitet Politikë Zgjedhjet 2025

Debate në KAS për votën e Greqisë!

Në Komisionin e Ankimeve dhe Sanksioneve në KQZ, po diskutohet mbi bllokimin e numërimit të votave nga Greqia. Komisionerët e Partisë Demokratike kanë kontestuar votat nga vendi fqinj pasi PD-ja pretendon se nuk janë plotësuar nga votuesit, por persona të PS-së. Nga ana tjetër, PS-ja kërkon nga KAS-i shfuqizimin e një akti të kryekomisionerit Ilirjan Celibashi, që parashikon që çdo zarf nga Diaspora që kontestohet, të lihet mënjanë në një kuti të posaçme. PS-ja thotë se ky akt nuk është nxjerrë në respektim të dispozitave ligjore dhe kërkon shfuqizimin e tij me qëllim që të vijohet me numërimin e votave për Greqinë.

Qëndrimin e PS-së e dha përfaqësuesja Elena Xhixha.

Akti nuk është nxjerrë në respektim të dispozitave ligjore. Rezulton se në kreun 3, pika 2 përcaktohet se KQZ-ja administron, numëron çdo fletë votimi që ka hyrë në Shqipëri deri në orën 19:00. Procesi i numërimit dhe vlerësimit të votave nga jashtë kryhet sipas përcaktimeve të këtij akti. Grupi i numërimit të votave mund të bëjë kontestime, por me fletën e votimit specifikisht. Janë parashikuar dhe rastet kur mund të këtë problematika me Zarfin B, por vetë KQZ-ja që në momentin që bën ndarjen e zarfeve, ato që kanë problematika që vërehen nga personat që kanë administruar procesin, i kanë futur në kutinë e posaçme dhe janë të gjithë zarfet B që kanë probleme.

Komisionerët, në momentin që kanë marrë Zarfin B, vetëm pse kanë parë se ky zarf vjen nga Greqia, thanë e kontestojmë, pa asnjë provë. Zarfet B kanë qenë në rregull dhe vetëm për hir të mungesës së vullnetit të këtyre personave kanë ngelur dhe janë kontestuar pa asnjë arsye për t’i numëruar. Kërkojmë shfuqizimin si një akt i pavlefshëm.

Nga ana tjetër, përfaqësuesi i PD-së, Marash Logu tha se procesi në Greqi ka pasur parregullësi dhe sipas tij është cënuar. Logu deklaroi se PD-ja nuk do lejojë asnjë zarf me materiale zgjedhore deri në momentin që të provohet se ato zarfa janë marrë personalisht nga zgjedhësit në Greqi. Sipas tij, “nuk lejojnë që të numërohen thasë të mbushur nga patronazhistët e PS”-së.

Në Greqi ndodhi një shkelje flagrante e kontratës nga operatori i shërbimit postar. Pa marrë autorizim, ndonëse në kontratë ishte ndaluar kryerja e nënkontraktimeve, ka nënkontraktuar operatorë për të bërë shpërndarjen dhe marrjen në dorëzim të materialeve zgjedhore. Në Greqi as nuk u kanë shkuar në shtëpi, as u kanë thënë hajdeni tërhiqni, kanë qenë vetë qytetarët që janë interesuar për të marrë në dorëzim materialet zgjedhore dhe pastaj për t’i kthyer.

Në momentin që vjen zarfi, duhej t’i dorëzohej personalisht zgjedhësit. Duhej të bëhej identifikimi i tij me dokument identiteti dhe duhej të bëhej nënshkrimi. Kjo nuk ka ndodhur. Persona të caktuar janë paraqitur dhe kanë tërhequr në mënyrë të paautorizuar me dhjetëra e qindra, kemi sjellë prova se si një qytetar shfaqej duke marrë jo një, por 10 apo 30 materiale zgjedhore e bënte dorëzimin e tyre.

Ky proces në shtetin grek, me keqardhje, ka cënuar garancitë, siguritë që duhej të ofronte procesi zgjedhor. E kemi informuar KQZ-në në mënyrë konstante. Kryeministri tha se procesi në Greqi është bërë mishmash. Eshtë cenuar procesi. S’kemi kërkuar pavlefshmëri. Kemi kontestuar për problematikat që thamë.

KQZ-ja, mbrojtjen s’kam nevojë t’ia bëj unë, se as nuk ka nxjerrë aktin që ne kemi kërkuar, thotë që Zarfi B dhe materialet zgjedhore të vendosen në kuti të veçantë, është parashikim ligjor. Kur nuk bie dakord grupi i numërimit dhe as KZAZ-ja, kjo vendimmarrje i kalon KQZ-së.

Përfaqësuesja e KQZ-së tha se ky akt u mor për të mos bllokuar procesin e numërimit të votave të ardhura nga shtetet e tjera, duke deklaruar se po marrin informacione nëse është respektuar protokolli i ndarjes së votave në Greqi.

Janë lënë mënjanë e nuk po administrohen zarfat. Eshtë e vërtetë që subjekti PD-Aleanca për Shqipërinë Madhështore ka kërkuar informacion nëse është respektuar protokolli i dorëzimit të këtij dokumentacioni zgjedhor te zgjedhësi. Jemi duke mbledhur informacionin e nevojshëm, për të provuar se si janë dorëzuar këto zarfa në dorë dhe a është respektuar kontrolli. Për të zhbllokuar situatën dhe për të lejuar vijimin e numërimit, morëm këtë vendim që të vijojë numërimi i një pjese të madhe të dokumentacionit zgjedhor, që është shumë më shumë se votat e ardhura nga Greqia, që të bëhen verifikimet e t’i përgjigjemi me fakte dhe dokumente subjektit zgjedhor që e ka kërkuar.