Rajoni

Gazetarja ruse Daria Aslamova, shpallet “non grata” në Kosovë!

Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, e shpalli “person të padëshirueshëm gazetaren ruse, Daria Aslamova”. Përmes një postimi në Facebook, Sveçla informon se Aslamovas i është ndaluar hyrja në Kosovë për pesë vjet.

Kushdo që me qëllime apo direktiva të caktuara, cënon apo tenton të destabilizojë vendin tonë, padiskutim do të përballet me forcën e ligjeve të Republikës së Kosovës.

https://www.facebook.com/permalink.php?story_fbid=458471722955776&id=100063788556625

Para këtij njoftimi, më herët u dha lajmi se në veri të Kosovës, policia arrestoi shtetasen ruse, Daria Aslamova. Sipas ministrit të Brendshëm, Xhelal Sveçla, “shumë shtete e kanë vërtetuar se angazhohet në spiunazh për inteligjencën ushtarake ruse dhe se ka vepruar nën “petkun” e gazetares. Po ashtu, mori pjesë në luftimet në Ukrainë, duke “propaganduar pushtimin rus”.

Në disa foto, Aslamova shihet me kryediplomatin rus, Lavrov dhe presidentin sirian, al-Assad, aleat i Putinit. Autoritetet e Kosovës ishin në dijeni për veprimtarinë e Aslamovas, të cilës i ndalohet hyrja në shumë shtete. Sveçla shtoi se përpjekja e saj për të hyrë në Kosovë, përkon me zhvillimet në veri të vendit e dëshmon qartë edhe lidhjet me propagandën ruso-serbe, duke synuar destabilizimin e Kosovës.

Në vitin 2017, Daria Aslamovas iu ndalua hyrja në Moldavi. Në atë kohë, si gazetare punonte për median ruse, Komsomolskay Pravda dhe që njihet për qëndrimet pro-Kremlinit. Shërbimi moldav i Radios Evropa e Lirë, pati raportuar në atë vit, se shërbimet e sigurisë ia ndaluan, hyrjen pasi nuk arriti të justifikonte qëllimin e vizitës.