Politikë

Gjekmarkaj në Konferencën e Kryetarëve: Të ripërsëritet seanca, Peleshi të shkarkohet! /Balla: Ka zbatuar rregulloren!

Deputeti i PD, Agron Gjekmarkaj ka kërkuar sërish në Konferencën e Kryetarëve ripërtëritjen e seancës për prezantimin e programit të qeverisë dhe votëbesimit të kabinetit. Gjekmarkaj në fjalën e tij mësohet të ketë thënë se mazhoranca e provokoi opozitën, ndërsa përsëriti kërkesën e tij për shkarkimin e kryetarit të Kuvendit Niko Peleshi.

Me ironi për ‘Diellën’, Agron Gjekmarkaj tha se “mund të sillni Qenin Rex e ta paraqitni si Ministër të Brendshëm që të leh për 10 minuta.”

“Jeni në revansh. Sot këtu mungon kryetari i grupit të PD-së. Në vend që të krijoni kushte me urdhra politik po tentoni të asgjësoni opozitën dhe parlamentin. Ju kryetar u shfaqet si atentator. Po minimizoni çdo hapësirë të opozitës. Ju përjashtuat opozitën nga procesi i integrimit dhe këtë e bëtë që në seancën e parë. Në seancën e dytë ku nuk donit të shfaqnit qeverinë provokuat opozitën. Ju kryetar e keni zhbërë parlamentarizmin. Opozita kërkon ripërsëritjen e seancës dhe ju duhet te mblidhni menjëherë këshillin e legjislacionit për mocion e shkarkimit tuaj. Parlamentarizmi kërkon vetëdije dhe seriozitet. Ju nesër mund të sillni Qenin Rex e ta paraqitni si Ministër të Brendshëm që të leh për 10 minuta. Tek mazhoranca socialiste ekzistojnë sot vetëm 2 liri. Liria për tu servilosur dhe liria për të shërbyer. Këshillë miqësore, merrni masa se do të ketë pasoja”, tha Gjekmarkaj.

Pas mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve, deputeti demokrat Agron Gjekmarkaj përsëriti edhe njëherë qëndrimin e opozitës se ndryshimet në rregulloren e Kuvendit do t’i çojnë në Gjykatën Kushtetuese. Po ashtu, Gjekmarkaj shtoi se në mbledhje kërkoi anulimin e dënimeve për dy deputetët e opozitës, Gazment Bardhi dhe Fidel Kreka.

“Kërkova ripërtëritjen e seancës, kërkova të mblidhet Komisioni i Legjislacionit që të shihet mundësia për mocion ndaj Peleshit, të anulohen dënimet absurde të një rregulloreje absurde të kësaj mazhornace për të dënuar deputetë e opozitës dhe të mos ketë asnjë pengesë për mediat në Kuvend. Do i drejtohemi Gjykatës Kushtetuese. Ne ende nuk kemi marrë një vendim, në momentin që organet e PD do kenë një vendim, ju do jeni të parët që do e merruni vesh. Ne do shfrytëzojmë çdo hapësirë që jep institucioni i Kuvendit, për të komunikuar të vërtetën e opozitës dhe për tu përballur me këtë mazhorancë arrogante, e patë si e nisi Kuvendi në tentativë për të zmbrapsur atë në qoshe”, tha Gjekmarkaj.

Opozita kërkon shkarkimin e Peleshit, Balla në Konferencën e Kryetarëve: Ka zbatuar rregulloren

Kreu i grupit të PS, Taulant Balla i është përgjigjur opozitës e cila edhe në Konferencën e Kryetarëve kërkoi shkarkimin e Niko Peleshit, pas seancës që zgjati vetëm 25 minuta dhe u miratua programi qeverisës.

Mësohet se Balla është shprehur se kryetari ka zbatuar vetëm rregulloren.

“Kryetari zbaton vetëm rregulloren, nuk ka bërë asnjë shkelje. Kërkesa juaj është e pabazuar”, ka thënë Balla.