Bota

Gjenden 41 trupa pas aksidentit ajror në Uashington!

Hetuesit njoftuan se është gjetur kutia e zezë e helikopterit të ushtrisë amerikane që u përplas me një avion pasagjerësh të mërkurën në mbrëmje, në aeroportin e kryeqytetit amerikan. Po ashtu, autoritetet bënë të ditur se po shqyrtojnë të dhënat e fluturimit të helikopterit, së bashku me të dhënat e gjetura në kutitë e zeza të avionit në përpjekje për të gjetur shkakun e përplasjes që la 67 të vdekur.

Ndërkohë, ekipet e posaçme po vazhdojnë kërkimet në lumin Potomak, si pjesë e operacionit të kërkimit dhe hetimit për një prej aksidenteve ajrore me të rënda në thuajse një çerek shekulli në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Shefi i Departamentit të Zjarrfikëses, John Donnelly Sr. u shpreh një ditë më parë se ishin gjetur trupat e 41 viktimave.

Ende nuk është e qartë se për sa kohë do të vazhdojë operacioni i kërkimit. Tashmë aeroporti “Ronald Reagan” ka vazhduar punën ndonëse dy nga tre pistat e aeroportit vijojnë të jenë të mbyllura.

Një ditë më parë, presidenti amerikan, Donald Trump tha se helikopteri i ushtrisë i tipit “Black Hawk” po fluturonte më lart se sa duhej në momentin që u përlas me avionin e kompanisë “American Airlines”.

Helikopteri Black Hawk po fluturonte në një lartësi shumë më të madhe se sa kufiri prej 61 metrash. Kjo nuk është shumë e vështirë për t’u kuptuar, apo jo, shkroi shefi i Shtëpisë së Bardhë, Trump në një postim në rrjetin Truth Social.