Rajoni

“Gjenocid inekzistent”, Petkoviç mohon se Serbia ka kryer krime në Kosovë

I ashtuquajturi drejtor i zyrës së vetëquajtur “për Kosovën” në Serbi, Petar Petkoviç, ka reaguar ndaj deklaratave të Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, i cili tha se e shkuara nuk mund të shkojë përderisa mohohen krimet e luftës dhe gjenocidi i kryer nga Serbia në Kosovë.

Petkoviç, e vazhdoi këtë mohim, duke thënë se Serbia nuk ka bërë gjenocid në Kosovë, madje edhe duke e quajtur “gjenocid inekzistent” dhe “të shpikur nga Kurti”.

Përmes disa postimeve në Twitter, Petkoviç shkroi se “e kaluara nuk do të shkojë përderisa ka mijëra serbë të dëbuar nga Kosova, shtëpi dhe kisha serbe të djegura”.

Gjithashtu ai pretendon se Kurti “po i fsheh arkivat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, dhe se “po refuzon të kërkojë të pagjeturit”.

“Pse ti Albin Kurti refuzon të kërkosh për personat e pagjetur në 9 lokacione? Pse po i fsheh arkivat e UÇK-së? Ekzistencën e së cilës e ke pranuar. Ndalo së shpikuri gjenocid inekzistent, por merr pjesë në kërkim ndaj personave të zhdukur”, ka shkruar Petkoviç në Twitter.

Nga Gjermania kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka bërë thirrje Serbisë që t’i hap arkivat shtetërore.

“Në panelin e Konferencës së Sigurisë në Mynih ‘Të humbur në tranzicion, sfidat dhe perspektivat e llogaridhënies dhe drejtësisë tranzicionale”, i bëra thirrje Serbisë që të hapë arkivat shtetërore sepse krimet e kryera në Kosovë ishin krime shtetërore”, ka shkruar Kurti në Twitter.