Koalicioni qeveritar në Gjermani ra dakord mbi një plan të ri ushtarak, me qëllim rritjen e numrit të trupave, pas disa muajve mosmarrëveshjesh mes forcave politike. Të gjithë djemtë 18-vjeçarë duhet të plotësojnë një formular rreth gatishmërisë për të shërbyer dhe nga viti 2027 do t’i nënshtrohen një kontrolli mjekësor. Berlini po përpiqet të krijojë ushtrinë më të fuqishme konvecionale në Europë.
Shefi i kompanisë më të madhe gjermane në fushën e Mbrojtjes bëri të ditur për mediat se beson që synimi mund të arrihet brenda pesë vjetësh. Ligjvënësit pritet ta votojnë këtë plan deri në fund të vitit 2025.
Më herët gjatë vitit, shefi i Mbrojtjes në Gjermani, gjenerali Carsten Breuer ka paralajmëruar që aleanca e NATO-s duhet të përgatitet për ndonjë sulm të mundshëm rus brenda katër vjetësh.
Konservatorët e kancelarit Friedrich Merz dhe Social-Demokratët e qendrës së majtë ranë dakord për të rikthyer shërbimin ushtarak, që fillimisht do të jetë në baza vullnetare.
Ushtria gjermane ka aktualisht rreth 182 mijë ushtarë. Shërbimi i ri ushtarak synon ta rrisë këtë numër me 20 mijë vitin e ardhshëm, që shifra të rritet mes 255 mijë e 260 mijë në 10 vitet e ardhshme, me 200 mijë rezervistë shtesë.
Disa parti politike të krahut të majtë vazhdojnë të kundërshtojnë shërbimin e detyrueshëm ushtarak.
Edhe shumë të rinj gjermanë janë në këtë linjë. Një anketë e realizuar së fundmi për revistën Stern ka sugjeruar se pak më shumë se gjysma e të pyeturve, e pëlqejnë shërbimin e detyrueshëm, por shkalla e kundërshtimit është 63% te grup-mosha 18-29 vjeç.