Deti, pishina dhe temperaturat e larta nuk janë gjithmonë fajtorët kryesorë për shqetësimet intime gjatë verës. Sipas ekspertëve, një nga gabimet më të zakonshme që bëjnë shumë gra është qëndrimi për orë të tëra me kostum banje të lagur.
Gjatë muajve të nxehtë, kombinimi i temperaturave të larta, djersitjes dhe lagështisë krijon kushte ideale për shumimin e baktereve dhe kërpudhave. Rrobat e lagura ose materialet sintetike mund të prishin ekuilibrin natyror të florës vagjinale dhe të rrisin rrezikun e infeksioneve.
Sipas specialistëve, kostumi i lagur i banjës mban lagështinë pranë trupit, pengon qarkullimin e ajrit dhe mund të ndryshojë pH-në natyrale të zonës intime. Për këtë arsye rekomandohet që pas daljes nga deti ose pishina ai të ndërrohet sa më shpejt me rroba të thata.
Ekspertët theksojnë se as uji i detit dhe as ai i pishinës nuk janë gjithmonë shkaku kryesor i problemit. Kripa e detit dhe klori mund të ndikojnë në ekuilibrin e baktereve mbrojtëse të vagjinës, duke krijuar kushte të favorshme për kandidiazën, vaginozën bakteriale dhe irritimet.
Një tjetër gabim i zakonshëm është përdorimi i tepërt i produkteve të higjienës intime.
Sprejrat, parfumet, sapunët agresivë dhe shpëlarjet e brendshme vagjinale mund të dëmtojnë florën natyrale mbrojtëse. Specialistët rekomandojnë që higjiena e përditshme të kryhet me ujë të vakët dhe, nëse është e nevojshme, me produkte të buta të përshtatura për zonën intime.
Edhe veshjet luajnë një rol të rëndësishëm…
Të brendshmet prej pambuku dhe rrobat e lehta që lejojnë ajrosjen e lëkurës mund të ndihmojnë në uljen e lagështisë dhe parehatisë, ndërsa materialet sintetike dhe veshjet shumë të ngushta mund të rrisin rrezikun e irritimeve.
Gjatë menstruacioneve, kujdesi duhet të jetë edhe më i madh. Ndërrimi i shpeshtë i pecetave higjienike dhe tamponëve rekomandohet veçanërisht gjatë ditëve të nxehta, kur lagështia dhe temperatura e lartë mund të favorizojnë zhvillimin e baktereve.
Specialistët theksojnë se infeksionet më të zakonshme gjatë verës janë kandidiaza, vaginoza bakteriale dhe infeksionet urinare.
Kandidiaza zakonisht shoqërohet me kruarje, djegie dhe sekrecione të bardha, ndërsa vaginoza bakteriale mund të shkaktojë sekrecione me aromë të pakëndshme. Infeksionet urinare, nga ana tjetër, shpesh shfaqen me djegie gjatë urinimit, nevojë të shpeshtë për të urinuar dhe presion në fund të barkut.
Një nga mitet më të përhapura është se infeksionet merren drejtpërdrejt në pishinë.
Mjekët sqarojnë se infeksionet seksualisht të transmetueshme si HPV, klamidia apo herpesi nuk merren zakonisht nga uji i pishinës së mirëmbajtur. Problemi kryesor lidhet me ndryshimin e florës vagjinale, lagështinë dhe qëndrimin e gjatë me rroba të lagura.
Ekspertët këshillojnë që çdo ndryshim i pazakontë, si kruarja, djegia, sekrecionet me erë ose dhimbja gjatë urinimit, të mos neglizhohet.
Nëse simptomat zgjasin më shumë se disa ditë ose përsëriten shpesh, rekomandohet kontrolli te gjinekologu, pasi vetëmjekimi mund të vonojë diagnozën dhe trajtimin e duhur.