Aktualitet

GJKKO-ja zbuti masën e sigurisë për babanë e kandidates për deputete, Limonera Bozhaj!

Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) la në “Arrest shtëpie” Pandeli Bozhajn, babanë e kandidates për deputete të PSD-së në Fier, Limonera Bozhaj, i arrestuar dy ditë më parë për veprën penale “Korrupsion aktiv në zgjedhje”.

Limonera Bozhaj sot u paraqit në Prokurorinë e Posaçme (SPAK) e hodhi poshtë përfshirjen e babait të saj në korrupsion zgjedhor, si dhe deklaroi se koha do të provojë faktet ndërsa theksoi se drejtësia do të bëjë punën e saj.

SPAK-u duhet të bëjë punën e vet. Nuk jemi përfshirë kurrë në gjëra të tilla. Do t’ia lëmë në dorë drejtësisë. Koha do t’i provojë faktet, deklaroi Limonera Bozhaj.

Pandeli Bozhaj u arrestua nën dyshimin për përfshirje në blerje votash në qytetin e Fierit, me qëllim favorizimin e vajzës së tij, Limonera Bozhaj, e cila kandidoi në zgjedhjet e 11 Majit nën siglën e Partisë Socialdemokrate (PSD).

Sipas prokurorisë, Pandeli Bozhaj përdori kontakte personale dhe mjete financiare për të ndikuar tek zgjedhësit në favor të kandidaturës së së bijës. Ai u vu në pranga gjatë një operacioni të ndërmarrë nga autoritetet në kuadër të hetimeve për parregullsi zgjedhore.