Aktualitet

GJKKO pezullon nga detyra Belinda Ballukun/I ndalohet dalja jashtë!

Gjykata e Posaçme ka marrë dy masa sigurie për Belinda Ballukun, pezullim i ushtrimit të detyrës dhe funksionit si zv.kryeministre e ministre për Infrastrukturën dhe Energjinë, si dhe ndalim i daljes jashtë vendit. Vendimi është dhënë nga gjyqtari Erion Çela, i kërkuar nga prokurori Dritan Prençi, nën akuzën e shkeljes së barazisë në tendera, në rastin e Tunelit të Llogarasë.

Pasi u mor e pandehur nga SPAK për shkelje me tenderin e Llogarasë, nën hetim u vu edhe për lotin e katërt të Unazës së Madhe.

Mësohet se vendimi është një marrë një ditë më parë nga gjyqtari Erion Çela me kërkesë të prokurorit Dritan Prençi dhe sot u është dërguar institucioneve për zbatim. Pasi të njihen me vendimin e gjykatës, brenda 72 orëve Balluku dhe zyrtarët e tjerë duhet të paraqiten në GJKKO për verifikim të kushteve të masës së sigurisë dhe më pas kanë të drejtë ta ankimojnë.

Po ashtu, mësohet se janë vendosur masa arrest shtëpie edhe për 2 zyrtarë të tjerë. Konkretisht për kreun e ARRSH-së, Gentian Gjyli dhe drejtorin e KESH-it, Erald Elezi, të dy të marrë të pandehur për Tunelin e Llogarasë, në cilësinë e anëtarëve të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave (KVO).

Më 31 tetor, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar doli me një deklaratë zyrtare lidhur me paraqitjen në SPAK të Ballukut, e cila në fund të muajit të kaluar u mor zyrtarisht e pandehur. Në njoftimin e SPAK-ut, thuhej se ndaj Belinda Ballukut u ngrit akuza për veprën penale “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, në bashkëpunim.

Hetimi lidhet me procedurat e prokurimit publik për ndërtimin e tunelit të Llogarasë, pjesë e seksionit rrugor Orikum–Himarë, në autostradën SH8 (Vlorë-Sarandë). Sipas SPAK-ut, fillimisht, tenderi në fjalë u zhvillua më 11 dhjetor 2020 dhe pas anulimit, u rihap më 22 qershor 2021, me fond limit prej mbi 18 miliardë lekësh pa TVSH.

Njoftimi i plotë i SPAK-ut (31.10.2025):

SPAK njofton akuzën për veprën penale, “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”. Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar po heton në kuadër të procedimit penal nr.136 të vitit 2025 (bashkuar me procedimet penale nr.167 dhe 181 të vitit 2024), për veprën penale,“Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, parashikuar nga neni 258 i Kodit Penal.

Në kuadër të hetimit të këtij procedimi penal, sot, më 31.10.2025 i është njoftuar akuza të pandehurës Belinda Balluku, me funksionin e lartë shtetëror, Ministër i Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, akuzuar për kryerjen e veprës penale,“Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, në bashkëpunim, parashikuar nga nenet, 258/2 dhe 25 i Kodit Penal.

Deri në këtë fazë të hetimeve paraprake, faktet penale, objekt akuze në ngarkim të të pandehurës Belinda Balluku, kanë të bëjnë me veprimet e saj, në cilësinë e Ministrit të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, për njërën nga procedurat e prokurimit, objekt i këtij hetimi, “Ndërtimi i tunelit të Llogarasë”, në seksionin rrugor Orikum-Himarë, pjesë e autostradës SH8 (Vlorë-Sarandë), zhvilluar në datën 11.12.2020 dhe pas anulimit të saj, procedura është rihapur në datën 22.6.2021, me fond limit, 18 967 810 952.08 (tetëmbëdhjetë miliardë e nëntëqind e gjashtëdhjetë e shtatë milionë e tetëqind e dhjetë mijë e nëntëqind e pesëdhjetë e dy (pikë) zero tetë) lekë pa TVSH.

Më 21.10.2025, Prokuroria e Posaçme, si organ procedues ka njoftuar të pandehurën përmes shkresës me numër protokolli 37398. E pandehura, pasi mori dijeni, ka njoftuar më 23.10.2025, organin procedues se nuk mund të paraqitej në datën dhe orën e caktuar. Me anë të një shkrese tjetër, me numër protokolli 37881, datë 24.10.2025, Prokuroria e Posaçme kërkoi paraqitjen e saj më 31 tetor, në orën 15:00