Aktualitet

Grabiti me kallashnikov bankën, gjykata lë në burg Bardhyl Fushën!

Gjykata e Tiranës la në arrest me burg Bardhyl Fushën, 58-vjeçarin që pak ditë më parë grabiti me armë një bankë të nivelit të dytë te ish-Parku i Autobusëve në kryeqytet. Ai arriti të merrte mbi 8 mijë euro, por u kap në kohë rekord nga policia që i sekuestroi armët e paratë.

Nga kafazi i qelqtë, Fusha, i njohur si sipërmarrës në ndërtim, përsëriti se veprimin e kreu pasi ka shumë borxhe. Avokati i tij kërkoi t’i vlerësohet gjendja psikologjike dhe mendore, si edhe një masë më të lehtë sigurie se e “Arrestit me burg”, duke vënë në dukje se Bardhyl Fusha iu dorëzua menjëherë Policisë, pa shkaktuar dëme në jetë njerëzish.

Sipas mbrojtjes, nuk ka pasur një grabitje të mirëorganizuar dhe klienti i tij ka vepruar në kushtet e një presioni të rëndë financiar.

Lidhur me ngjarjen e 12 shkurtit, pas arrestimit, Fusha pranoi se si sipërmarrës ka borxhe ndaj punonjësve që ende nuk i ka shlyer dhe se kjo e detyroi të ndërmerrte aktin e grabitjes së bujshme.