Policia e Tiranës jep detaje nga grabitja e djeshme në një bankë të nivelit të dytë te ish-Parku i Autobusëve në Tiranë. Një 61-vjeçar hyri i armatosur dhe mori një sasi lekësh. Burime zyrtare bëjnë me dije se shtetasi Bardhyl Fusha ka arritur të marrë 8 milion lekë të vjetra.
Pasi ai u arrestua në dalje të bankës, iu sekuestrua shuma e grabitur, bashkë me një kallashnikov. Fusha tha se ishte i zhytur në borxhe e njihej si sipërmarrës në fushën e ndërtimit.
Specialistët për Hetimin e Krimeve ndaj Pronës dhe Jetës, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2, vunë në pranga shtetasin B. F., 61 vjeç, pasi dje, në rrugën “Muhedin Llagami”, ka hyrë në ambientet e një banke, me armë zjarri automatik, dhe ka marrë 800 000 lekë. Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua arma e zjarrit dhe shuma e parave të vjedhura.