Moderatori i njohur irlandez, Graham Norton, i cili ka pritur qindra yje botërorë në talk show-n e tij legjendar “The Graham Norton Show”, ka zbuluar emrin e personit që e konsideron “mysafirin më të keq” në historinë e programit.
Në një intervistë të fundit, 62-vjeçari rrëfeu se përvoja më e vështirë në karrierën e tij televizive ishte me aktorin amerikan Mark Wahlberg, gjatë një episodi të vitit 2013 kur ky i fundit po promovonte filmin “Broken City”.
Në të njëjtën mbrëmje, të ftuar në studio ishin edhe aktorët Michael Fassbender dhe komedianja Sarah Silverman.
Fillimisht, gjithçka dukej normale, por situata mori një kthesë të papritur.
Kur mbërriti, Mark ishte krejt në rregull – karizmatik, i qetë, tregonte histori interesante. Por rreth 15 minuta pas fillimit, ajo që kishte në sistemin e tij mori kontrollin, dhe gjithçka u kthye në kaos
-tregoi Norton me ironi.
Sipas moderatorit, Wahlberg kishte konsumuar alkool para xhirimeve dhe, gjatë emisionit, nisi të ndërhynte vazhdimisht në bisedat e të ftuarve të tjerë, duke e bërë të vështirë mbajtjen e ritmit të programit.
Ai i ndërpriste të gjithë, madje edhe kur Sarah apo Michael ishin duke treguar diçka interesante. Nuk dija nëse duhej të qeshja apo të ndërhyja
Kulmi i situatës ndodhi kur, për habinë e publikut dhe të stafit, aktori ra në gjumë gjatë bisedës me Fassbenderin.
Ishte një moment komplet absurd. Ai thjesht u mbështet pas karriges dhe mbylli sytë
-shtoi moderatori mes të qeshurash.
Megjithatë, Norton sqaroi se mes tyre nuk ka mbetur asnjë keqkuptim dhe se Wahlberg më vonë i kishte kërkuar ndjesë për sjelljen e tij.
Ishte një incident i çuditshëm, por të gjithë kemi pasur një mbrëmje të keqe në punë
-tha ai me humor.
Ky episod mbetet një nga momentet më të përfolura në historinë e “The Graham Norton Show”, një program që prej më shumë se dy dekadash ka sjellë në ekran momente të paharrueshme me yjet më të mëdhenj të botës së argëtimit.