Aktualitet Rajoni

Greqia ashpërson politikat ndaj emigrantëve!

Qeveria greke ka njoftuar masa të reja më të ashpra kundër emigracionit të paligjshëm, duke planifikuar eliminimin e një rregulli që u lejonte emigrantëve të parregullt të aplikonin për leje pas shtatë vitesh qëndrimi në vend.

Ministri i Migracionit, Makis Voridis vuri në dukje se me këtë dispozitë është abuzuar dhe se nga tani e tutje “askush që ndodhet ilegalisht në Greqi nuk do të legalizohet kurrë”. Voridis theksoi se çdo vit hyjnë ilegalisht nga 55 mijë në 65 mijë emigrantë, gjysmës së të cilëve u jepet azil.

Projektligji i ri, i miratuar nga kabineti dhe që pritet të kalojë në Parlament në muajin qershor, parashikon dënim me burg deri në pesë vjet për hyrje dhe qëndrim të paligjshëm. Gjithashtu, paraburgimi para deportimit do të zgjatet deri në dy vjet nga maksimumi aktual prej 18 muajsh.

Vitin e kaluar, policia greke arrestoi 74 mijë emigrantë të parregullt, por arriti të dëbojë vetëm 2 mijë e 500. Ministri tha se shumë prej tyre pretendojnë identitete të rreme për të shtyrë procesin e deportimit. Ndërkohë, për të përmbushur nevojat ekonomike dhe mungesën e fuqisë punëtore, prej rreth 200 mijë vetësh sipas Bankës së Greqisë, qeveria do të paraqesë deri në muajin korrik rregullore të reja që inkurajojnë emigrimin e ligjshëm.