Në Gjykatën Speciale në Hagë sot nisën të jepen deklaratat përmbyllëse për rastin gjyqësor kundër ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve, Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, si dhe ish-deputetit, Rexhep Selimi.
Ata akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, për të cilat që të katërt janë deklaruar të pafajshëm. Pretendohet se krimet janë kryer midis muajit mars të vitit 1998 dhe shtatorit të vitit pasues në disa lokacione në Kosovë dhe në veri të Shqipërisë.
Pas përmbylljes së deklaratave, çështja do të kalojë te trupi gjykues. Gjykatësit kanë tre muaj kohë që të marrin një vendim për çështjen, ose të kërkojnë zgjatjen e afatit për marrjen e vendimit. Prokuroria kërkon 45 vjet burg për Thaçin, Veselin, Krasniqin e Selimin.
Prokurori Alan Tieger tani po i rikthehet procesit gjyqësor duke përmendur se çfarë kanë thënë disa prej dëshmitarëve. Ai përsëriti se Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli ishin në vijën e parë të UÇK-së prej fillimit dhe kishin rol të rëndësishëm.
Tieger përmendi që të dy kanë shkuar në Zvicër më 1994 dhe deri më 1998 janë kthyer në Kosovë çdo 3-4 muaj dhe kanë qëndruar aty për disa javë secilën herë.
Thaçi dhe Veseli kanë pasur detyra të rëndësishme gjatë asaj kohe, të mbanin kontakte, të sillnin armë, përfshirë shtatë prej 12 RPG-ve që u përdorën në sulmet e sinkronizuara ndaj 12 stacioneve policore serbe në shtator të 1997-ës.
Sipas tij, Thaçi e fitoi reputacionin e personit që lidhi luftëtarët në Kosovë dhe planifikuesit që jetonin në emërgim.