Bota

Hamas kërkon zbatimin e rezolutës jodetyruese të Asamblesë së OKB-së!

Asambleja e Përgjithshme e OKB-së miratoi një rezolutë jodetyruese që kërkon një armëpushim të menjëhershëm e të qëndrueshëm humanitar në Gaza. Dokumenti i përgatitur nga Jordania u hodh në votim në një seancë urgjente për të diskutuar luftën gati trejavore mes Izraelit e Hamasit, e cila filloi pas një sulmi në shkallë të gjerë ndaj civilëve izraelitë nga militantët e Hamasit, më 7 tetor.

Për të kaluar, rezoluta kërkonte një shumicë prej dy të tretash në organizmin botëror prej 193 anëtarësh.  Në fund, 120 vende votuan pro, 14 kundër e 45 abstenuan.

Ndërsa përfaqësuesit e Egjiptit dhe Katarit folën në favor të dokumentit, Amerika qëndroi me vendosmëri kundër. Ambasadorja e SHBA-ve, Linda Thomas-Greenfield:

Rezoluta nuk e përmend Hamasin me emër, as nuk përmend pengjet e marra nga militantët. Këto janë lëshime të së keqes. Ato mbulojnë dhe fuqizojnë brutalitetin e Hamasit e asnjë shtet anëtar nuk duhet të lejojë që kjo të ndodhë!

Të tjera vende si Gjermania, Kanadaja dhe Britania e Madhe, zgjodhën të abstenojnë. Austria, Kroacia dhe Republika Çeke ishin mes atyre që iu bashkuan SHBA-ve në votën kundër.

Kanadaja u përpoq të shtonte një amendament që dënonte “sulmet terroriste të Hamasit” dhe bënte thirrje për lirimin e menjëhershëm e të pakushtëzuar të pengjeve të mbajtura nga Hamasi. Por, ky amendament nuk mori votat e nevojshme.

Rezoluta e miratuar bën thirrje për “një armëpushim të menjëhershëm e të qëndrueshëm humanitar që çon në një ndërprerje të armiqësive” dhe kërkon “sigurimin e papenguar të mallrave e shërbimeve thelbësore” në Gaza.

Palët duhet të respektojnë detyrimet e tyre sipas ligjit ndërkombëtar, veçanërisht në lidhje me mbrojtjen e civilëve dhe objekteve civile.

Rezoluta nuk përmend as Hamasin e as pengjet. Në vend të kësaj, thotë se “të gjithë civilët që mbahen në robëri ilegalisht” duhet të lirohen.

Ndërsa rezolutat e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së nuk kanë peshë ligjore, shihen me rëndësi simbolike. Hamasi e mirëpriti rezolutën dhe i bëri thirrje Asamblesë së Përgjithshme dhe organeve përkatëse ndërkombëtare që ta zbatojnë menjëherë.

Ne, në Lëvizjen e Rezistencës Islamike (Hamas), mirëpresim rezolutën e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara që bën thirrje për një armëpushim të menjëhershëm, të përhershëm dhe të vazhdueshëm humanitar që çon në përfundimin e agresionit kundër popullit tonë në Rripin e Gazës.

Ministri i Jashtëm izraelit, Eli Cohen hodhi poshtë thirrjen për një armëpushim.

Ne e refuzojmë drejtpërdrejt thirrjen e neveritshme të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së për një armëpushim. Izraeli synon të eliminojë Hamasin ashtu siç u përball bota me nazistët dhe ISIS-in.

Debati filloi të enjten me fjalimet e përfaqësuesve diplomatikë të Izraelit e palestinezëve. Gilad Erdan, ambasadori i Izraelit në OKB, hodhi poshtë thirrjet për një armëpushim, duke thënë se kjo “do të thotë t’i jepet Hamasit kohë për t’u riarmatosur”, në mënyrë “që të na masakrojë përsëri”.

Nuk ka më as edhe një gram legjitimiteti apo rëndësie.

“Votoni për të ndaluar vrasjen, votoni për të ndaluar këtë çmenduri”, tha diplomati palestinez Riyad Mansour.