Aktualitet

Hangar i ri për helikopterët Black Hawk, Ministri i Mbrojtjes inspekton punimet në Farkë!

Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu ishte sot në Bazën Ajrore në Farkë, ku inspektoi punimet për ndërtimin e hangarit të ri për helikopterët Black Hawk.

 “Në këtë bazë ajrore është duke u realizuar një investim domethënës për sa i përket nevojave të skuadronit të ri të pilotëve dhe mirëmbajtësve të mjeteve Black Hawk”, tha Vengu duke theksuar se ky është një hangar totalisht i ri me të gjitha nevojat e adresuara.

Po ashtu Vengu shtoi se pilotët janë duke u certifikuar, duke synuar fluturimin natën, çka nënkupton që edhe ekuipazhet të kenë gatishmëri 24-orëshe.

Një nga zhvillimet më të mëdha në fushën e mbrojtjes gjatë vitit të ardhshëm do të jetë rikthimi në punë i industrisë ushtarake ‘Made in Albania’. Ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu u shpreh se, negociatat me kompanitë e interesuara do të nisin brenda disa javëve.

“Plani i parë është të nisim me faza, fillimisht me municionet”, u shpreh  Vengu, duke qartësuar edhe një objektiv tjetër të planit të prodhimit, për të cilin nuk është folur më parë.

“Bashkë me municionet, synojmë të trajtojmë edhe një problematikë të mbartur prej vitesh sa i përket prodhimit të uniformave, jo vetëm për Forcat e Armatosura, Policinë e Shtetit, por për të gjitha agjencitë me uniformë që operojnë në Republikën e Shqipërisë. Synojmë, që shteti, përmes kompanisë shtetërore të themeluar, KAJO, të jetë bashkëaksioner. Praktikisht, ne, jo vetëm të prodhojmë, por edhe të gjenerojmë të ardhura.”, tha ministri, duke sqaruar se, kompanitë mund të përfitojnë lehtësitë fiskale vetëm, kur ato pranojnë të jenë në bashkëpronësi me shtetin shqiptar.

Shqipëria ka si objektiv që brenda dy vitesh të ketë një ushtri me rreth 10 mijë anëtarë.

Ministri Vengu tha se këtij objektivi i shërben edhe fushata aktuale për rekrutimin e ushtarëve të rinj për vitin e ardhshëm.

“Në rrafshin afatshkurtër, synimi ynë është të kemi 10 mijë forca aktive të mobilizueshme. Pra, nga 8 mijë që jemi sot të arrijmë në 10 mijë”, u shpreh Vengu, duke vënë në dukje trendin në rritje të interesimit të të rinjve për t’u rekrutuar në ushtri.
“Vitet e fundit, forca e armatosur shqiptare është kthyer në një forcë tërheqëse. Në vitin 2023 kemi pasur 275 ushtarë rekrutë të rinj aktivë, në 2024 kemi 485, pra 210 vetë më shumë se vitin e kaluar, ndërkohë që deri tani, nëse i referohemi shifrave paraprake të shprehjes së interesit për vitin që vjen kemi 272 vetë. Fushata do të nisë edhe gjatë pranverës. Jemi në të gjithë parametrat ideale, që në një periudhë dyvjeçare të kapim objektivin”, u shpreh ministri i Mbrojtjes.